Prokuroria mirëpret dënimin e Mustafës: Fitore për drejtësinë dhe viktimat

Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar Alex Whiting ka mirëpritur vendimin e sotëm në gjykimin ndaj Salih Mustafës.

Mustafa u dënua me 26 vjet burg për krimet e luftës si ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, ai u lirua i pafajshëm për veprën e trajtimit mizor.

Këtë vendim Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting e ka konsideruar si fitore për drejtësinë, në veçanti “për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre”.

“Aktgjykimi i sotëm përbën një fitore për drejtësinë dhe, në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre, të gjithë shqiptarë të Kosovës, tragjeditë personale të të cilëve ishin në zemër të këtij rasti, dhe që kanë vuajtur për më shumë se dy dekada për shkak të veprimeve të Z. Mustafa” – thuhet në njoftimin e gjykatës.

Alex Whiting më tej ka vlerësuar se krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka bërë të mundur që viktimat t’i tregojnë historitë e tyre dhe të marrin drejtësi.

Sipas Prokurorisë të gjithë viktimat ishin shqiptarë të Kosovës, disa prej të cilëve i ishin bashkuar UÇK-së vullnetarisht sepse ata besonin me forcë në luftën për pavarësinë e Kosovës.

“Me vendimin e sotëm, Dhomat e Specializuara kanë treguar se ato janë një gjykatë për viktimat dhe rreth viktimave dhe se nuk ka datë skadimi për dhënien e llogarisë” – përfundon njoftimi i bërë nga prokurori Whiting.

VIDEO – Salih Mustafa dënohet me 26 vjet burgim