Gjykata Speciale: Lëshohet urdhër për përgatitjen e seancës së Apelit në rastin e Salih Mustafës

Më datë 12 tetor, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ka lëshuar urdhrin për përgatitjen e seancës së Apelit, e cila është planifikuar të zhvillohet më 26 dhe 27 tetor.

Sipas njoftimit nga Gjykata Speciale, thuhet se për të siguruar një shfrytëzim efikas të kohës gjatë seancës, Paneli ka kërkuar nga palët që të trajtojnë disa çështje specifike gjatë argumentimit të tyre.

Gjithashtu, palët janë inkurajuar të kujdesen për bazat e ankesës dhe të mos prezantojnë argumente të reja në lidhje me themelin e çështjes gjatë seancës së Apelit.

Ish-komandanti “Cali” në dhjetor të vitit 2022 nga Gjykata Speciale në Hagë u dënua me 26 vjet burgim. Kundër këtij vendimi Mustafa më 5 maj 2023, ka dorëzuar dosjen në Apel.

Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës.

Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash. Qëllimi i përbashkët përfshinte krimet e specifikuara si në vijim.

Salih Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torture dhe vrasje së paligjshme.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Seanca e paraqitjes së parë të Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nicholas Guillou. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave. Më 4 shkurt 2022, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.

Më 23 shkurt 2022, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave kundër të akuzuarit, në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK-së. Konferenca përgatitore e Mbrojtjes dhe konferenca përgatitore mbi pjesëmarrjen e viktimave u mbajtën më 8 dhe 9 mars 2022.

Paraqitja e provave nga Mbrojtja filloi më 22 mars 2022, paraprirë prej paraqitjes së provave nga mbrojtësja e viktimave, më 21 mars. Më 26 maj 2022, Mbrojtja e Salih Mustafës njoftoi për mbylljen zyrtare të paraqitjes së provave prej tyre.

Më 1 qershor 2022, ZPS-ja paraqiti kundërprovat e veta duke thirrur një dëshmitar dhe duke ofruar prova dokumentare shtesë.

Më 3 qershor 2022, Trupi Gjykues paraqiti prova shtesë, në bazë të rregullës 132 të Rregullores, gjegjësisht dy raporte ekspertësh lidhur me vlerësimin e gjendjes shëndetësore të disa viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje.

Paraqitja e provave në këtë çështje gjyqësore përfundoi më 20 qershor 2022. Më 21 dhe 22 korrik 2022, Mbrojtja e Mustafës dhe Prokuroria i dorëzuan dosjet e tyre gjyqësore përfundimtare. Deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13-15 shtator 2022.

Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022: Trupi Gjykues e shpalli z. Mustafa fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.

Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023. Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.