Gjykata në Gjilan dënon ish-kryetarin e Kllokotit

Sasha Mirkoviq, ish-kryetar i Komunës së Kllokotit, tani nënkryetar, është gjetur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata në akuzën e cila atë e ngarkonte me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Mirkoviq nga Gjykata e Gjilanit është dënuar me dënim burgimi prej 180 ditësh, të cilin do ta vuajë pasi aktgjykimi të merr formën e prerë.

Me dënim të njëjtë, 180 ditë, Gjykata e ka dënuar edhe Elbasan Alidemen, gjithashtu për keqpërdorim të detyres zyrtare.

Të akuzuarit tjerë Beqir Selimi, Nebahate Pira dhe Strahinja Steviq janë dënuar nga Gjykata nën akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Këta të fundit janë dënuar me dënim burgimi me nga 90 ditë që gjithashtu do ta vuajnë pasi aktgjykimi të merr formën e prerë.

Aktakuza kishte të bënte me një tender për pajisjen me inventar të Komunës së Kllokotit.

Ky shqyrtim ishte i dyti, pasi ishte urdhëruar nga Gjykata e Apelit, sepse Gjykata e Gjilanit të akuzuarit i  kishte liruar nga akuzat në shqyrtimin e parë.

Duke dhënë fjalën përfundimtare, Prokurori i Shtetit Arben Kadriu pati deklaruar se mbetet në tërësi pranë aktakuzës, andaj i pati propozuar Gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë.

Kurse përfaqësuesi i Komunës së Kllokotit si palë e dëmtuar në aktakuzë, pati thënë se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale pasi, siç thoshte ai, për ta është me rëndësi që “inventari ka arritur dhe gjendet në objektin e Komunës”.

Të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, patën kërkuar nga Gjykata qe të lirohen nga akuzat pasi thoshin se nuk janë fajtorë për akuzat që atyre u vihen në barrë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Sasha Mirkoviq në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kllokotit ka keqpërdorur pozitën e tij, pasi e kishte ditur se inventari i destinuar për objektin e Komunës nuk ka arritur në objekt të Komunës dhe në mënyrë kundërligjore ka formuar komisionin komunal për pranim të atij inventari.

Tutje i akuzuari kishte tubuar anëtarët e komisionit dhe i kishte detyruar të hartojnë një raport kinse inventari ka arritur në Komunë.

Ndërsa Zeqir Selimi, Nebahate Pira dhe Strahinja Steviq akuzoheshin se kanë keqpërdorur pozitën, apo autoritetin e tyre zyrtar, duke hartuar një raport që kinse inventari i destinuar kishte arritur në objektin e Komunës edhe pse e kishin ditur se porosia e njëjtë nuk ka arritur fare.

Prokuroria e Gjilanit akuzonte edhe Elbasan Alidemën.

Sipas aktakuzës, Alidema kishte keqpërdorur pozitën e tij duke qenë pronar i kompanisë “Metali”, edhe pse nuk e ka dërguar fare inventarin në Komunë ka përpiluar faturë kinse në tërësi është përmbushur kontrata.

Aktakuza sqaronte se Ministria e Pushtetit Lokal të akuzuarit Alidema i kishte paguar shumën prej 29,330 euro.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Rigjykimi i ish-kryetarit të akuzuar të Kllokotit drejt fundit