Ferizajasi lirohet nga akuza për drogë

Visar Asllanit, i cili akuzohej nga Prokuroria për posedim të narkotikut, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Ferizajt.

Para trupit gjykues të udhëhequr nga kryetari Ibrahim Idrizi, i akuzuari Asllani në asnjë fazë të procedurës nuk e ka pranuar fajësinë, duke deklaruar veten të pafajshëm për narkotikun e gjetur në lokal, në një ndejë të organizuar nga ai dhe shoku i tij.

Asllani deklaroi në Gjykatë se nuk e dinë se i kujt ka qenë narkotiku, por që ai vetë nuk e ka ditur se ka pasur narkotikë tek banaku i lokalit, por vetëm pas kontrollit të policisë e ka parë atë.

Gjykata e Ferizajt pas dëgjimit të disa dëshmitarëve dhe pas shtjellimit të provave, e liroi nga akuza Visar Asllanin pasi që kjo Gjykatë nuk gjeti asnjë provë për të dëshmuar se narkotiku ka qenë i tij, ose e ka sjell ai atë natë.

Prokurori i rastit Veton Shabani, gjatë fjalës së tij përfundimtare kërkoi që Visar Asllani të shpallet fajtorë dhe të dënohet pasi që sipas tij, ai ishte përgjegjës për atë ndejë, sepse ishte vetë organizatori.

Trupi gjykues pas këshillimit dhe votimit vendosi që të akuzuarin të liroj në mungesë të provave që do të dëshmonin se ai është fajtorë.

Sipas prokurorisë me datë 18 Shkurt 2018, rreth orës 00:45 në lokalin ‘’Dream Club’’ në Ferizaj, njësiti për hetimin e trafikimit me narkotikë në Ferizaj, gjatë bastisjes dhe kontrollit të lokalit tek banaku ku ishte Visar Asllani kishte gjetur sasi e substancave narkotike e llojit marihuanë me peshë 10.25 gr, dhe një qese me substancë narkotike të llojit kokainë me peshë 0.59 gr, të cilat i ka poseduar Visar Asllani.

Me këtë sipas prokurorisë ai akuzohej se ka kryer veprën penale posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge.