Eksperti i komunikacionit: Shkaktar i aksidentit me fatalitet ka qenë vozitësi i automjetit

Në gjykimin kundër Vladimir Gjorgjeviqit, i akuzuar për rrezikim të trafikut publik që përfundoi me fatalitet sot u dëgjua eksperti i komunikacionit.

Lidhur me aksidentin që kishte ndodhur në tetor të 2009 sot u dëgjua Basri Sallahu eksperti i komunikacionit.

Sallahu kishte përpiluar ekspertizën të cilën sot e mbrojti në Gjykatën e Mitrovicës.

Fillimisht Sallahut iu parashtruan pyetje nga avokati Ljubimir Pantoviq mbrojtës i të akuzuarit Vladimir Gjorgjeviq.

Eksperti Sallahu fillimisht deklaroi se nuk kishte qenë në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur aksidenti që kishte përfunduar me vdekjen e viktimës.

“Në vendngjarje nuk kam dalë por ekspertizën e kam bërë në bazë të shkresave të lëndës”.

Ndërsa kur u pyet pse s’kishte dalë në vendngjarje ai deklaroi se nuk mund të përgjigjem”.

Eksperti Sallahu, deklaroi se mbetet në tërësi pranë ekspertizës së përpiluar dhe përfundoi duke thënë se “Shkaktar i aksidentit ka qenë vozitësi i automjetit tha eksperti”.

Aktakuza thotë se  në mbrëmjen e 8 tetor 2009, në magjistralen Leposaviq – Mitrovicë ka ndodhur aksidenti nga pakujdesia ku mbeti e vdekur Stamenka Mlladenoviq.

Sipas aktakuzës aksidenti ishte shkaktuar nga pakujdesia e tani të akuzuarit Vladimir Gjorgjeviq  pasi që i njëjti nuk kishte përshtatur kushteve të komunikacionit, pamjes dhe dukshmërisë së rrugës si dhe pjesën e rrugës ku është frekuentuar nga këmbësorët.

Tutje aktakuza thotë se i akuzuari Gjorgjeviq, me veturën e tipit “Mercedes” në afërsi të trafostacionit kryesor ka goditur të dëmtuarën Stamenka Mlladenoviq e cila ishte duke lëvizur në anën e djathtë të rrugës nga fshati Soqanicë duke e goditur të dëmtuarën dhe duke e rrëzuar për toke me pasojë vdekjeprurëse.