Të dyshuarit për terrorizëm në Banjskë ankohen për paraburgimin, Gjykata e Apelit merr vendim

Tre të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë me 24 shtator, Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq para disa ditëve, Gjykata Themelore e Prishtinës ua konfirmoi vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Të dyshuarit përmes avokatëve të tyre e kanë apeluar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit.

Por më 28 dhjetor, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Themelores me të cilin tre të dyshuarve për sulm terrorit në Banjskë me 24 shtator të këtij viti dhe ata do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.

“Gjykata e Apelit e Kosovës i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve V.T, av.Milos Delevic, B.S, av.Ljubomir Pantovic, D.M, av.Jovana Filipoviq, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special e ka vërtetuar” – thuhet në vendimin e Apelit.

26 dhjetor të këtij viti, Shkalla e Parë ka marrë vendim që tre të dyshuarve të ia vazhdoj paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë. Të njëjtit gjendën në masën e paraburgimit që nga 26 shtatori i këtij viti.

Detaje nga dosja e Prokurorisë

Në kërkesë thuhet se të pandehurit Vladimir Toliq dhe Blogoje Spasojevic me një grup personash ende të paidentifikuar në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, me dashje, pasi që kanë hyrë ilegalisht në Kosovë, me dhjetëra vetura dhe të mbushura me armatim, fillimisht kanë bllokuar rrugën me dy kamioneta me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, e pastaj i kanë sulmuar me granatë dhe armë të ndryshme.

Si pasojë, thotë Prokuroria Speciale, ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari tjetër policor Alban Rushiti.

Ndërsa i pandehuri tjetër Dusan Maksimoviq, sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, me dashje iu ka ofruar ndihmë pjesëtarëve të grupit të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, duke incizuar skena të vendit të ngjarjes lidhur me lëvizjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke zhvilluar operacion kundër të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.

Në kërkesë, prokurori Naim Abazi e thekson faktin se tre pandehurit janë shtetas edhe të Serbisë dhe nuk kanë vendbanim të konfirmuar.

“..si dhe rrethanat e përgjithshme të cilat aktualisht e karakterizojnë veriun e vendit, ekziston rreziku që po të lihen të lirë, do të arratisen nga Kosova dhe do të ikin në Serbi ose në ndonjë vend tjetër, për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, e cila do ta vështirësonte zhvillimin me sukses të procedurës penale. Këtë mundësi reale të arratisjes së të pandehurve duhet ndërlidhur edhe me faktin se shumica e të dyshuarve, aktualisht gjenden të lirë, për shkak të disa rrethanave” – thuhet në kërkesë.