Shpallja e Aktgjykimit ndaj të akuzuarit për krime lufte, Zoran Gjokiq - FOTO: Shyhrete Maliqi - KALLXO

12 vite burgim për Zoran Gjokiq, i akuzuar për krime lufte

Gjykata e Prishtinës, ka shpallur aktgjykim dënues për Zoran Gjokiq, i akuzuar për krime lufte të kryera gjatë muajve mars-prill të vitit 1999, në Lagjen “Kristal” dhe “Te Soliterat”, në Pejë.

Gjokiq, është dënuar me 12 vite  burgim në të cilin dënim do t`i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

Shpalljen e aktgjykimit e bëri gjykatësi Arben Hoti.

Vlen të ceket se para shpalljes së këtij aktgjykimi gjykatësi Hoti,  deklaroi se gjykata ka analizuar gjitha provat veç e veç si dhe ka vërtetuar gjendjen e fakteve bazuar në dëshmitë e dëshmitarëve dhe provave materiale duke nxjerr përfundime se cilat fakte konkrete janë vërtetuar lidhur  me këtë çështje.

Tutje i njëjti tha se Gjykata në fillim ka vërtetuar faktet jo kontestuese, se me datën 28-29 mars në vitin 1999 në Pejë  kishte ndodhur një aksion i forcave serbe kundrejt popullatës shqiptare me qëllim të dëbimit nga shtëpitë dhe vrasjen e tyre.

“Gjykata ka analizuar edhe alibinë e të akuzuarit dhe ka arritur deri te përfundimi se një alibi e tillë nuk është vërtetuar”, shtoi gjykatësi Hoti.

Prokurorja speciale, Habibe Salihu në seancën e datës  15 janar 2021, kishte zgjeruar dhe ndryshuar aktakuzën.

“Pasi që gjatë shqyrtimit gjyqësor, provat e shqyrtuara tregojnë se gjendja faktike e paraqitur në aktakuzë është ndryshuar. Në anën tjetër nga administrimi i provave gjatë shqyrtimit gjyqësor është zbuluar se i akuzuari Zoran Gjokiq më 28 mars 1999,  ka kryer dhe një vepër tjetër penale, për këtë kam bërë zgjerimin dhe ndryshimin e aktakuzës”, kishte deklaruar prokurorja Salihu.

Kujtojmë se në  fjalën përfundimtare të dhënë me datë 4 shkurt 2021, prokurorja Habibe Salihu dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Kujtim Kërveshi kanë kërkuar që Gjokiq të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit, kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ljubomir Pantoviç, ka kërkuar lirim nga akuza.

Sipas aktakuzës të ndryshuar i akuzuari Zoran Gjokiq, akuzohet se gjatë muajit mars – prill, të vitit 1999 gjegjësisht me datë 29 mars të vitit 1999, në lagjen “Kristal” në Pejë, duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal të nacionalitetit serb, në mesin e të cilëve ishte edhe një person i quajtur D., si dhe NN persona të paidentifikuar deri më tani, të veshur me uniforma policore, paramilitare dhe ushtarake iu kanë shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose shëndetit, kanë aplikuar masa frikësimi, ndaj popullatës së pambrojtur civile kanë kryer vrasje plaçkitje të një, qyteti ose një vendi, kanë urdhëruar zhvendosjen e popullatës civile për shkaqe që lidhen me konfliktin drejtuar me qëllim, kundër popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civil që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Zoran Gjokiq, duke bashkëvepruar me personat tjerë, ka shkuar në lagjen “Kristal” të Pejës, ka marrë pjesë në aksionin që kishte filluar për vrasjen dhe dëbimin e qytetarëve shqiptar nga shtëpitë e tyre, ashtu që deri sa familja e të dëmtuarit L. H., i, gjegjësisht vëllai i tij B., dhe fëmijët e tyre, kane qenë duke u larguar dhunshëm nga shtëpia e tyre, gjatë kohës sa kanë qenë duke u futur në veturën ‘Yugo’ 45A, kanë tentuar që ta ndalin duke iu drejtuar me fjalët “ndalu, ndalu”, dhe meqenëse të njëjtit nuk janë ndalur, me qëllim që t’i privojnë nga jeta kanë shtënë me amë në drejtim të tyre, me ç ‘rast me katër plumba është goditur vetura ku ishin edhe dy fëmijët e mitur të të dëmtuarit L. H., të cilët në ato momente ishin duke u larguar me axhën e tyre B.,  prej të cilave të shtëna janë plagosur të dy djemtë e të dëmtuarit L. H,. dhe atë djali i madh i L., i moshës 9 vjeçare duke ia mbajtur dorën vëllait të vet të vogël tre vjeçar, me qëllim që ta mbroj, ku me këtë rast goditet në dorën e djathtë, ndërsa djali i vogël i cili ishte mbrapa shpinës së tij është goditur me plumb me ç‘rast i janë shkaktuar lëndime trupore.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Zoran akuzohet se së bashku me persona tjerë të paidentifikuar ka shtënë fillimisht në drejtim të të dëmtuarit L., pastaj kanë hyrë në shtëpinë e tij ku e kanë plaçkitur dhe ia kanë marrë të gjitha të holla që i kishte si dhe e kanë detyruar që bashkë me bashkëshorten dhe kunatën e tij të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërkaq pas kësaj i pandehuri së bashku me persona tjerë kishte shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit F. H., dhe pasi që e kishte kuptuar se ishin brenda e tërë familja, me qëllim që t’i privoj nga jeta, me një shkrepës kishin ndezur një lloj bombe dhe kishin shkaktuar zjarre në drunjtë që ishin në oborrin e shtëpisë nga ku kishte filluar të digjet edhe shtëpia e të dëmtuarit F. H., ku i akuzuari me bashkë kryerësit ishte larguar ashtu që i dëmtuari F., bashkë me familjarë kishin arritur që ta ndalin zjarrin nga shtëpia.

Më pastaj thuhet në aktakuzë se i akuzuari Zoran akuzohet se po ashtu kishte hyrë edhe te shtëpia e H. M., (tani më i ndjerë), ashtu që i pandehuri Zoran duke qenë së bashku me persona të paidentifikuar deri më tani, kishin hyrë dhunshëm në shtëpinë e tani të ndjerit H., dhe derisa i njëjti kishte qenë në shtëpinë e tij së bashku me familjen e tij dhe familjen e vëllait të tij S., (tani i ndjerë) dhe me familjen e të dëmtuarit Sh. K., kanë detyruar familjarët të largohen nga shtëpitë e tyre dhe fillimisht  e rrahin tani të dëmtuarin Sh., pastaj i kanë maltretuar edhe të ndjerët H., dhe S. Z.,  i kanë plaçkitur, i kanë detyruar t` ua dorëzojnë të gjitha të hollat që i kishin ata dhe familjet e tyre, duke ia marrë edhe arin e familjes, pastaj në oborrin e kësaj shtëpie fillimisht e rrahin përsëri të dëmtuarin Sh., në atë mënyre që e godasin në fytyrë edhe ia thyejnë dhëmbët, ndërsa S., e detyrojnë që të shkoj për të siguruar të holla tjera, ndërkohë e vrasin H.

Në pikën e katërt të aktakuzës thuhet se pastaj me të arritur S., që kishte shkuar për të siguruar të holla, pasi e sheh vëllai e vrarë të ndjerin H., në gjendje të keqe i njëjti fillon të bërtas dhe detyrohet t`ia dorëzoj 1 mijë marka dhe më pas i detyrojnë të largohen nga shtëpia ku ishin e pasi dalin jashtë shtëpisë S., dhe Sh., takojnë B. B., (tani i ndjerë) të cilin paramilitaret serb e kishin detyruar të largohet nga shtëpia, me të arritur te dera e A. M., përafërsisht 70 metra nga ku u vra H., i kanë ndarë nga kolona e qytetarëve shqiptarë të cilët i kishin larguar dhunshëm nga shtëpitë e tyre, përsëri i pandehuri Zoran i ndaloi që të tre S., B., dhe S., duke i detyruar të kthehen me fytyrë kah ai, me tu afruar që të tre një metër përpara tij, iu kishte drejtuar S., dhe B., “ju dy hyni brenda”, në oborrin e A.M pra S., dhe B., i futi brenda në oborr rreth 4-5 metra , pastaj i pandehuri Zoran me kallashnikovë, ka gjuajtur në fryrë të S., me rafal, pastaj me rafal e ka gjuajtur edhe B., në gjoks, duke i lënë të dytë të vdekur, kthehet nga Sh., dhe i është drejtuar” ngajë çka po pret?”, atëherë i dëmtuari Sh., duke vepruar sipas urdhrit të të pandehurit Zoran arrin të largohet.

Gjithnjë sipas aktakuzës, rrugës në afërsi i akuzuari Zoran takon R.M., (tani më të ndjerin), i cili ishte me një karrocë në dorë, të cilin paramilitaret e pyesin se ku je nisur, derisa i njëjti iu tregon se për ku ishte nisur vazhdon rrugën me karrocë për në shtëpinë e kushëririt, të njëjtin e gjuajnë me armë në gjoks dhe i ndjeri rrëzohet mbi karrocë dhe vdes, pastaj Sh., vazhdon rrugën dhe vendoset fillimisht në shtëpinë e babait të tij për tu larguar të nesërmen për në Mal të Zi.