Dyshohet se foshnja e posalindur vdiq nga trajtimi i pandërgjegjshëm, Gjykata merr vendim për 3 mjekët

Tre mjekë nga Prizreni të cilët po dyshohen se kanë shkaktuar vdekjen e një foshnje të porsalindur përmes trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor si dhe kanë kryer veprën penale të manipulimit me prova, i’u është caktuar masa e sigurisë nga Gjykata e Prizrenit.

Të dyshuarve F.S. dhe G.S. i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, kurse të dyshuarit S.R. i është caktuar masa e lajmërimit në stacionin policor.

Të njëjtit do të ndodhen nën këto masa në kohëzgjatje prej 1 muaji.

F.S., G.S. dhe S.R. dyshohet se kanë shkaktuar vdekjen e një foshnje të porsalindur ku në cilësinë e mjekëve kujdestar në Spitalin Rajonal të Prizrenit kanë vepruar në mënyrë të pakujdesshme duke intervenuar me vonesë në gjendjen e përkeqësuar të foshnjës me ç’rast foshnja nuk ka mbijetuar.

Tutje, pas vdekjes së foshnjës të njëjtit nuk e kanë regjistruar fare placentën e foshnjës së porsalindur dhe të njëjtën nuk e kanë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore ku ishte dërguar trupi i pa jetë i foshnjës me urdhër të prokurorit.

Kjo sipas prokurorisë konsiderohet si një provë vendimtare për përcaktimin e shkakut të vdekjes, dhe për këtë arsye, me këtë veprim, të njëjtit dyshohen se e kanë kryer me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit si provë në procedurë.

Kështu, ata dyshohet të kenë kryer veprën penale të manipulimit me prova.

Fillimisht Prokuroria kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, por ishte tërhequr nga kjo kërkesë në seancë dëgjimore dhe kishte propozuar masat më të buta të arrestit shtëpiak dhe paraqitjes në stacion policor.

Kërkesë kjo e cila është aprovuar sot nga Gjykata e Prizrenit.

Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor është i inkriminuar me Kodin Penal në fuqi dhe hyn në grupin e veprave penale të cilat mund t’i kryejnë vetëm profesionalistët mjekësorë.

Sipas ligjit penal në fuqi, nëse si rezultat i kësaj vepre penale shkaktohet vdekja e një ose më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.

Ndërsa vepra penale e manipulimit të provave, sipas Kodit Penal mund të dënohet me gjobë, ose me burgim prej 6 muaj e deri në 5 vjet.