Ilustrim: BIRN

Dhuna në familje dhe dënimet e shqiptuara

Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, pavarësisht formave të dhunës ka për qëllim prandalimin e dhunës në familje.

Sipas disa aktgjykimeve që kanë të bëjnë me dhunën në familje, të gjykatës së Gjakovës, të siguruara nga KALLXO.com, janë dhënë dënime me kusht ose dënime me gjobë, e disa edhe me dënime efektive.

Një rast të ndodhur në korrik të vitit 2020, djali kishte përdorur forcën ndaj nënës së tij, i cili më pas kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me dënim me kushte prej 180 ditësh, dënim ky i paekzekutueshëm nëse i njëjti në periudhën prej 1 viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Rasti tjetër, ku të akuzuar kishin qenë djali me nusen e që të njëjtit i kishin shkaktuar lëndime trupore nënës-vjehrrës, janë dënuar me gjobë në shumë prej 250 eurove, obligime këto që duheshin t’i paguanin brenda 15 ditësh.

Përveç dhunës fizike, kohëve të fundit ka pasur edhe raste të dhunës psikologjike, sikurse në muajin prill të vitit 2020, kur në një rast burri kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj gruas dhe vajzës së tij. Ai ishte dënuar me gjobë në shumë prej 600 eurove si dhe dënim me burgim prej 1 viti me kusht që ky dënim të mos ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale në afatin prej 2 vitesh.

Edhe një rast tjetër ku djali kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj nënës së tij, është dënuar nga gjykata e Gjakovës. Dënimi ndaj tij ka qenë dënim me kusht dhe me gjobë në shumën prej 200 eurove.

Një rast tjetër, ku burri sulmon gruan e tij me grushte në kokë, dënohet me burgim prej 180 ditëve.

Po ashtu, rasti kur babai ka sulmuar dy herë djalin e tij të mitur, është dënuar me dënim me burgim prej 8 muajve.

Në gjykatë, ka pasur raste edhe kur vëllau ka sulmuar vëllanë ose motra motrën, të cilët më pas janë dënuar me burgim prej 90 ditësh ose 120 ditësh, me kusht që brenda 1 vitit të dënuarit të mos kryej vepër tjetër penale.

Sa i përket dhunës në familje, nuk përjashtohen edhe rastet kur gruaja sulmon burrin e të cilat raste janë dënuar me kusht dhe gjobë më së shumti deri në 800 euro.

Sipas vlerësimeve të gjykatës, në aktgjykimet e dhëna janë marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Ndër rrethanat lehtësuese janë pranimi i fajësisë, pendimi për veprën e kryer, kërkim falja ndaj të dëmtuarve, premtimi se nuk do të kryejnë vepër tjetër penale, se janë mbajtës të familjes dhe se jetojnë në të njëjtën shtëpi.

Ndërsa, si rrethana rënduese gjykata në disa raste kishte gjetur se disa nga të akuzuarit kishin qenë të dënuar më parë.

Po ashtu, gjykata në aktgjykimet e saj ka dhënë bindjen se këto dënime të shiptuara do të arrijnë efektin e qëllimit ndaj tyre në rehabilitim, mos-kryerje të veprave tjera penale dhe në forcimin e detyrimit të ligjit.

Sipas Ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje, gjykata ka juridiksionin për shqiptimin e masave mbrojtëse, sikurse masa mbrojtëse e ndalimit të afrimit të viktimës së dhunës në familje mund t’i shqiptohet personit që ka kryer dhunë në familje, nëse ekziston rreziku i përsëritjes së kësaj dhune.

Si masë mbrojtëse tjetër mund të jetë ajo e ndalimit të shqetësimit personave ekspozuar dhunës në familje, masë mbrojtëse e largimit nga banesa, shtëpia apo hapësira tjetër e banimit, masa mbrojtëse e trajtimit mjekësor nga varësia prej alkoolit dhe substancave psikotrope.

Përveç kësaj, pas kërkesës së palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave apo përfaqësuesit së qendrës për punë sociale, gjykata ndaj të dyshuarit mund të shqiptojë edhe urdhër mbrojtje.

Sipas këtij ligji, edhe Policia e Kosovës i ka përgjegjësitë e saja. Ajo duhet t’i përgjigjet çdo njoftimi për veprat apo kërcënimet e dhunës në familje, apo shkeljes së urdhrit mbrojtës.

Nga disa raste të dhunës në familje, ka rezultuar deri te vrasja. Një ndër këto raste në rajonin e Gjakovës ka qenë edhe vrasja e gruas dhe vajzës, i cili rast kishte bërë bujë të madhe në Kosovë.

Vitin e fundit, si pasojë e pandemisë ka pasur më shumë raste të dhunës në familje.