Gjykimi për keqpërdorim të detyrës - Gjilan - 04.11.2019

Dështon seanca për shitjen e masës drurore të lajmëruara të vjedhura në Polici

Për shkak të mungesës së anëtarit të trupit gjykues dhe prokurorit të shtetit nuk është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Kadri Ismajli.

Kryetari i trupit gjykues Islam Thaçi njoftoi të pranishmit se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës së sotme.

“Pasi që anëtari i trupit gjykues Zyhdi Haziri është i ngarkuar në PZAP, trupi gjykues nuk është i plotë për seancën e sotme. Gjithashtu edhe prokurori i kësaj çështje Isuf Sadiku është i ngarkuar me një seancë të paraburgimit në këtë Gjykatë dhe një tjetër në Prizren, që do të thotë se nuk kemi kushte për seancën e sotme”, tha kryetari i trupit gjykues.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shemsedin Pira nuk pati vërejtje në thëniet e kryetarit të trupit gjykues.

Seanca e sotme u caktua për muajin janar 2020.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Kadri Ismajli gjatë viteve 2016 dhe 2017 në Viti, në Hapësirat e Ekonomisë së Pyjeve, në cilësinë e personit zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke qenë në pozitën e Shefit të Ekonomisë së Pyjeve në Viti i ka shitur drunjtë të cilët Ekonomia e Pyjeve në Viti i kishte lajmëruar si të vjedhura në Stacionin Policor në Viti.

Kujtojmë se kjo lëndë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me aktvendimin e datës 18.09.2019, ku ishte konstatuar se Aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave procedurale.