Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Dëshmitarja në rastin ‘Toka’: Unë i kryeja lëndët trashëgimore, i nënshkruante Nuhi Uka

Gjykimi ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla dhe të akuzuarve të tjerë për krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës, marrje ryshfeti, mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rremë e të tjerë, ka vazhduar me dëgjimin e punëtores së Gjykatës, Bademe Kelmendi, në cilësi të dëshmitares.

Deklarata e dëshmitares lidhet me pikën 3 të aktakuzës, e cila ka të bëjë me tashmë të ndjerin Nuhi Uka, ish-kryetari i Gjykatës Komunale, i akuzuar për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i detyrës zyrtare, mashtrim në detyrë, nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore.

Sipas pikës tre të aktakuzës tashmë i ndjeri Nuhi Uka duke vepruar në cilësinë e kryetarit të Gjykatës në vitin 2006 me kërkesën e anëtarëve të grupit kriminal në mënyrë të paligjshme u ka ofruar atyre qasje në shkresat e lëndës për parcelat e tokës të familjes Vuçetiq edhe pse e ka ditur se aktgjykimi, kontrata origjinale dhe të gjitha shkresat që përmbanin numrat e parcelave të tokës do të falsifikoheshin.

Po ashtu, në vitin 2007 u kishte ofruar qasje anëtarëve të krimit të organizuar në shkresat e lëndës së familjes Simiq që më pas t’u falsifikohen dokumentet origjinale të parcelave të tokës në Llapnasellë.

Në mënyrë të njëjtë kishte vepruar edhe në vitin 2008 duke u ofruar anëtarëve të krimit të organizuar qasje në shkresat e familes Vujoviq.

Po ashtu, tashmë i ndjeri Nuhi Uka akuzohej edhe për veprat penale mashtrim në detyrë, nxjerrja e vendimeve të paligjshme gjyqësore të natyrës jokontestimore.

Dëshmitarja Bademe Kelmendi, bashkëpunëtore profesionale në Gjykatën e Prishtinës, rrëfeu se deri në vitin 2013 ka punuar në lëmin civil në lëndët e trashëgimisë, se ka punuar me gjykatësen Egjlale Sheholli, e cila nuk ishte mirë me shëndet dhe nën trysninë  e palëve i ka punuar lëndët ndërsa i ka nënshkruar kryetari i Gjykatës, Nuhi Uka.

Kelmendi tha se përafërsisht në vitin 2005 ose 2006 kryetari i Gjykatës, Nuhi Uka, është marrë me lëndët e trashëgimisë me të cilat ishte dashur të merrej gjykatësja Egjlale Sheholli.

Ajo rrëfeu se ndonëse nuk ishte e autorizuar ishte marrë me lëndët trashëgimore, kishte pranuar lëndët, ndërsa kur ishte dashur të merrte edhe deklaratat e palëve dhe kur mbante procesverbal gjykatësi Nuhi Uka nuk ishte present.

Ajo lidhur me këtë  gjykim deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratës të dhënë në Prokuorine e EULEX-it më 25 gusht 2016.

Duke marrë parasysh se tashmë i akuzuari që ndërlidhet me dëshminë e kësaj dëshmitareje ka vdekur asnjëri nga të akuzuarit nuk kishte pyetje.

Prokuroria Speciale më 25 tetor 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast – LINK