Dëshmia e vëllait të gruas së vdekur si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga burri i saj

Kur kanë kaluar një vit nga vdekja e Hatije Dina nga Suhareka si pasojë e lëndimeve të marra, gjykimi ndaj bashkëshortit të saj është afër përfundimit.

Viktima Hatije Dina kishte vdekur më datë 31 maj, dy javë pas plagëve të pësuara me datë 15 maj si pasojë e dhunës të bashkëshortit.

Sipas Prokurorisë së Prizrenit, Ilir Haxhiaj e rrahu gruan e tij pas një mosmarrëveshjeje, duke i shkaktuar asaj lëndime të rënda trupore që rezultuan me vdekjen e saj.

I akuzuari kishte mohuar fajësinë për veprën penale lëndim i rëndë trupor me pasoja vdekjen, ndërsa mbrojtjen e tij para Gjykatës i akuzuari Ilir Haxhiaj do ta paraqet më datë 16 shtator.

Sot para trupi gjykues në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar vëllai i viktimës, dëshmitari Samidin Dina.

I njëjti tregoi para Gjykatës se motra e tij 25 vite ka qenë e martuar me këtu të akuzuarin, dhe ka pasur dy fëmijë.

Vëllai i viktimës, ka rrëfyer se motrës së tij rrallë herë i është lejuar të vizitonte vëllezërit dhe familjarët: “ndonjëherë ju ka lejuar të vinte në vizitë e ndonjëherë jo”.

Lidhur me ditën kritike vëllai i viktimës, dëshmitari Samidin Dina tha se në orët e hershme të mëngjesit është lajmëruar nga Policia, se e motra e tij është dërguar në Spitalin e Prishtinës.

“Motra ka qenë në komë, dhe çdo ditë për 15 ditë radhazi, dhe ditën e 15 ka ndërruar jetë”, tregoi dëshmitari, ndërsa i njëjti tha se ka parë se motra e tij ka pasur lëndime në kokë pasi që ka qenë e mbështjellë e gjithë koka, ndërsa tha se ka pasur njërin bërryl të krahut të thyer dhe të gjakosur, “dhe sipas këndvështrimit tim kjo ka qenë një vrasje”, tha dëshmitari.

I njëjti sqaroi se motra e tij, tashmë viktima Hatije Dina nuk i është ankuar për bashkëshortin e saj, “kjo pasi që edhe unë kam jetuar jashtë Kosovës dhe rrallë jemi takuar”.

Dëshmitari vazhdoi të tregonte se këtu të akuzuarin që e ka pasur dhëndër, shumë rrallë e ka takuar përgjatë këtyre 26 viteve. “Ditën kur unë e kam martuar djalin, motra nuk është lejuar të vinte në dasëm, kurse një ditë më herët kishte ardhur i burri i saj (këtu i akuzuari Ilir Haxhiaj) dhe e ka marrë”, tregoi dëshmitari.

Vëllai i viktimës në pyetjet e trupit gjykues tha se fëmijët e motrës së tij dhe këtu të të akuzuarit nuk i ishin ankuar për ndonjë maltretim apo probleme tjera, por as motra i tij nuk i kishte thënë ndonjëherë se dëshiron të divorcohet nga këtu i akuzuari.

Ndërsa pas rastit të ndodhur dëshmitari tha se fëmijët e motrës së tij të ndjerë nuk e vizitojnë por as nuk kanë kontakt në mes vete, por me kërkesë të trupit gjykues i njëjti nuk dha arsyet e mos kontaktit me fëmijët e motrës së tij të ndjerë.

“Jo, as që kontaktoj me fëmijët e motrës, as përmes telefonit nuk kam pse t`i thërras, e as ata nuk më thirrin mua“, tha dëshmitari.

I njëjti sqaroi se përkundër që kanë qenë në dijeni se motra e tyre po maltretohet, i kanë ndihmuar vetëm në formë materiale, me dërgimin e të hollave kohë pas kohë. “Tjetër qysh nuk di se si t`i ndihmonin”, përfundoi dëshmitari.

Trupi gjykues ka lexuar edhe provat materiale të paraqitura nga prokuroria bashkë me aktakuzën si raporti i vendit të ngjarjes, raporti mjekësor dhe raporti i autopsisë, si dhe shkresa tjera materiale.

Në fund trupi gjykues vendosën që më datë 16 shtator i akuzuari të jep mbrojtjen e tij, si dhe Prokurori dhe avokati mbrojtës të paraqesin fjalët e tyre përfundimtare, e pas kësaj brenda 3 dite trupi gjykues do të shpall vendimin.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se ngjarja ka ndodhur më datë 31 maj në fshatin Samadraxhë të Suharekës, gjatë kohës kur i akuzuari Haxhiaj sa ishte me bashkëshorten e tij në veturë, janë fjalosur si pasojë e një mosmarrëveshjeje.

Prokuroria pretendon se në dalje të fshatit Samadraxhë, i dyshuari ka ndalur veturën e tij në anën e djathë të rrugës dhe ka nxjerrë viktimën jashtë veturës dhe ka filluar ta grushtojë, duke e goditur në të gjitha pjesët e trupit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se viktima Hatije Dina si pasojë e sulmit nga bashkëshorti është rrëzuar në asfalt, ndërsa i akuzuari ia kishte kapur kokën dhe disa herë e kishte goditur për asfalti.

Ilir Haxhiaj po akuzohet për veprën penale – lëndim i rëndë trupor, që ka rezultuar me vdekjen e viktimës.

Për vepër të tillë penale, Kodi Penal parasheh dënim me burgim prej pesë deri në 15 vjet.

Si rrjedhojë e goditjeve dhe lëndimeve të pësuara, e ndjera Hatije Dina ka pësuar dëmtime e trauma në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, nga të cilat goditje ka vdekur në QKUK në Prishtinë më 15 qershor.

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.