Foto: KALLXO.com

Vdekja e Hatije Dinës, versione të kundërta mes ekspertit dhe të akuzuarit për mënyrën e lëndimit të viktimës

Kanë kaluar tre vite që nga vdekja e Hatije Dinës nga Suhareka, e cila dyshohet se u rrah në mënyrë brutale nga burri i saj dhe si pasojë e goditjeve kishte vdekur.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se Ilir Haxhiaj ka qenë në veturë vetëm me bashkëshorten e tij dhe pas mosmarrëveshjeve që kishin pasur, ai e kishte goditur disa herë për asfalti gruan e tij.

Hatije Dina ka vdekur më 15 qershor 2019 pas trajtimit dyjavor në QKUK.

Ilir Haxhiaj akuzohet nga Prokuroria e Prizrenit për veprën penale – lëndim i rëndë trupor.

Në vitin 2021, Ilir Haxhija u dënua me 15 vjet burgim, por Supremja rastin e tij e ka kthyer në rigjykim.

Në seancën e sotme është dëgjuar eksperti i komunikacionit, Ejup Qehaja.

Qehaja në bazë të ekspertizës ka konstatuar se ditën kritike vetura ka qenë e ndalur kur Hatije Dina ka dalë nga makina.

Eksperti ka dhënë një mendim ndryshe nga i akuzuari, i cili po pretendon se viktima ka kërcyer vetë nga makina e cila ka qenë në lëvizje dhe ka pësuar lëndime.

“Bashkudhëtarja kur ka dalë nga vetura ka qenë e ndalur. Po të kishte qenë vetura në lëvizje viktima kishte me kalu në rrugë varësisht prej shpejtësisë së automjetit të lëvizjes. Në rastin konkret vetura ka qenë e ndalur dhe personi-viktima nuk ka lëvizur”-ka thënë eksperti.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Shkëlzen Sopjanit, avokat i të akuzuarit, eksperti i komunikacionit ka sqaruar se nuk ka asnjë provë për lëndime që pretendohen se janë marrë gjatë rrokullisjes së viktimës për arsye se nga ekspertiza del se automjeti ka qenë i ndalur.

Eksperti Ejup Qehaja më tej ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes nuk ka pasur goditje, gjurmë gërvishtëse apo bartëse të veturës.

Ai tutje ka deklaruar se në vendin e ngjarjes është gjetur uji dhe gjaku në bazë të të cilave Policia ka konstatuar se viktima nuk ka dalë nga vetura derisa ka qenë në lëvizje.

“Unë nuk kam gjetur asnjë provë se vetura ka qenë në lëvizje”-ka konkluduar eksperti.

Eksperti i komunikacionit ka qëndruar në tërësi pranë kësaj përgjigje duke mohuar ekspertizën mjeko-ligjore që ka konstatuar se dëmtimet janë shkaktuar nga dalja e tani të ndjerës nga makina deri sa ka qenë në lëvizje me pasojë rrëzimin, përplasjen dhe rrotullimin e kokës dhe trupit në asfalt.

Gjykimi më tej ka vazhduar me leximin e provave.

Seanca e radhës u caktua për nesër.

Sipas Prokurorisë, Ilir Haxhiaj akuzohet se i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor bashkëshortes së tij deri në masën sa përveç rrezikimit të jetës ka rezultuar edhe me vdekjen.

Sipas Prokurorisë, më 31 maj 2019, në fshatin Samadraxhë të Suharekës, i akuzuari Haxhiaj ishte fjalosur me bashkëshorten e tij, e cila ishte në veturë, e ulur prapa karriges së vozitësit.

Prokuroria pretendon se në dalje të fshatit Samadraxhë, i dyshuari më pas ka ndalur veturën e tij në anën e djathë të rrugës dhe ka nxjerrë viktimën jashtë veturës dhe ka filluar ta grushtojë, duke e goditur në të gjitha pjesët e trupit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se viktima Hatije Dina si pasojë e sulmit nga bashkëshorti është rrëzuar në asfalt, ndërsa i akuzuari ia kishte kapur kokën dhe disa herë e kishte goditur për asfalti nga të cilat goditje Hatije Dina ka vdekur më 15 qershor 2019, pas trajtimit dyjavor në QKUK.

Ilir Haxhiaj po akuzohet për veprën penale – lëndim i rëndë trupor.

Për vepër të tillë penale, Kodi Penal parasheh dënim me burgim prej pesë deri në 15 vjet.

Në vitin 2021, Ilir Haxhija u dënua me 15 vjet burgim, por Supremja rastin e tij e ka kthyer në rigjykim.

Supremja ka konstatuar se janë dy versione të lëndimeve trupore dhe atë: Versioni i të akuzuarit se lëndimet janë shkaktuar si pasojë e hedhjes së të ndjerës nga automjeti dhe versioni i Prokurorisë se lëndimet janë shkaktuar nga goditjet e të akuzuarit, për të cilat dilemat nuk janë eliminuar në aktgjykim e shkallës së parë.

Supremja ka udhëzuar Gjykatën e Prizrenit se në rigjykim duhet të vërtetojë formën dhe mënyrën e veprimit të të dënuarit  meqenëse këto paraqesin elementet e veprës penale – lëndim i rëndë trupor dhe nuk janë qartësuar dhe arsyetuar mjaftueshëm.

Gjykata e shkallës së tretë ka udhëzuar shkallën e parë që të caktohet ekipi prej ekspertëve të mjekësisë ligjore për të evidentuar llojin dhe natyrën e lëndimeve trupore si dhe mënyrën e shkaktimit të tyre.

Supremja ka udhëzuar që për këtë rast po ashtu të bëhet edhe rikonstruimi i vendit të ngjarjes.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.