Dënohet e akuzuara për terrorizëm që ofronte shërbime logjistike për ISIS

Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtore E.S,, e cila akuzohej për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

E akuzuara E.E u dënua me 2 vite burg me kusht ndërsa dënimi ndaj saj nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej 3 viteve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nuk kryen vepër të re penale.

“Nëse e pandehura gjatë kohës së verifikimit të dënimit me burg me kusht, kryen vepër të re penale, dënimi me burgim me kusht do t’i zëvendësohet me dënim me burg, e në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në masën e arrestit shtëpiak”, tha më tutje gjyqtarja Albina  Shabani Rama.

Gjykata të pandehurës ia shqiptoi edhe dënimin plotësuese, ashtu që e pandehura E.S të përmbushë detyrimin vizitë te psikologu ose të këshillues të tjerë dhe veprime ne pajtim me rekomandimet e tyre dhe atë në kohëzgjatje prej dy viteve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Po ashtu , Gjykata urdhëroi Shërbimi Sprovues të Kosovës të bëjë mbikëqyrjen e dënimit me kusht dhe detyrimit të shqiptuar ndaj të pandehurës.

“Në rast se të pandehurat nuk mbajnë kontakte me Shërbimin Sprovues të Kosovës ose nuk e përmbushin detyrimin për vizitë të psikologu ose këshilluesit tjerë dhe veprimet në pajtim me rekomandimet e tyre , gjykata do të revokojë dënimin me kusht me dënim me burgim”, tha gjyqtarja Shabani Rama .

E.S. kishte pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar më 24.1.2020.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se e pandehura në vitin 2014 së bashku me bashkëshortin e saj M.S, kanë depërtuar në Republikën e Maqedonisë dhe kanë udhëtuar për në Stamboll të Turqisë, e më pastaj në qytetin Gaziantep prej nga janë transportuar në drejtim të zonës kufitare me Sirinë.

Sipas prokurorisë, çifti ishte regjistruar në organizatën terroriste.

Më tutje në aktakuzë thuhet se e pandehura ka kontribuar në pikëpamje logjistike të mbështesë luftëtarët e ISIS-it, dhe njëkohësisht është financuar  nga ISIS për shumën e të hollave prej 100-150 dollarë në muaj, si dhe me pako ushqimore.

Gjithnjë sipas aktakuzë, e akuzuara  pas  vdekjes së bashkëshortit të saj ishte martuar  me personin e quajtur B.F, luftëtar i ISIS-it.

Ajo ka qëndruar dhe vepruar edhe më tutje në zonat e konfliktit në Siri ku ka kontaktuar edhe me luftëtarë  të tjerë të ISIS-it, ndërsa në muajin dhjetor të vitit 2018, janë arrestuar nga forcat demokratike Siriane derisa në prill të vitit 2019 e pandehura është riatdhesuar në Kosovë.

Gruaja pranon se iu bashkua ISIS-it dhe u martua me ushtarin që e furnizoi me armë