Foto: KALLXO.com

Dënohen me burg të akuzuarit për kontrabandim të kosovarëve drejt Europës

Gjykata e Prishtinës i ka shpallur fajtorë për kontrabandim me emigrantë në bashkëkryerje Sylë Krasniqin, Asllan Kuqin, Bekim Karaxhën dhe Rexhë Kolgecin, ndërsa ka liruar nga e njëjta akuzë Haxhi Gashin dhe Florina Ferizin.

I akuzuari Sylë Krasnqi është shpallur fajtor edhe për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, i akuzuari Asllan Kuqi është shpallur fajtor edhe për falsifikim të dokumentit.

Gjyqtarja Shadije Gërguri e dënoi Sylë Krasniqin për kontrabandim me emigrantë në bashkëkryerje me burgim në kohëzgjatje prej 4 viteve, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Ndërsa për armëmbajtje pa leje e dënoi me gjobë në shumën prej 1,000 euro, të cilën shumë i njëjti është i obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditëve pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Në rast se dënimi me gjobë nuk mund të realizohet as me detyrim, Gjykata këtë dënim me gjobë do ta zëvendësojë me dënim me burg.

Të akuzuarin Asllan Kuqi për veprën penale kontrabandim me emigrantë në bashkëkryerje e dënoi me burg në kohëzgjatje prej 2 viteve e 6 muaj, ndërsa koha e kaluar në paraburgim do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar.

Ndërsa për veprën tjetër penale – falsifikimi i dokumentit Gjykata e dënoi me gjobë në shumën prej 2,500 euro, të cilën është i obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditësh pasi aktgjykimi ta marrë formën e prerë. Në rast se dënimi me gjobë nuk mund të realizohet as me detyrim, Gjykata dënimin me gjobë do t’ia zëvendësojë me burg.

Të akuzuarin Bekim Karaxha për veprën penale kontrabandim me emigrantë në bashkëkryerje i shqiptoi dënim në kohëzgjatje prej 2 viteve. Koha e kaluar në paraburgim do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar.

I akuzuari Rexhë Kolgeci për veprën penale kontrabandim me emigrantë në bashkëkryerje u dënua me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve, ndërsa koha e kaluar në paraburgim do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar.

Gjykata po ashtu shqiptoi ndaj të akuzuarve Sylë Krasniqi, Asllan Kuqi, Bekim Karaxha  dhe Rexhë Kolgeci edhe dënimin plotësues duke i konfiskuar sendet e përshkruara si në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Në këtë çështje penale, ka qenë i akuzuar edhe Kujtim Maliqaj, por ai në fazat e mëhershme të procedurës kishte pranuar fajësinë, ashtu që procedura ndaj tij ishte veçuar.

Në këtë rast, për krim të organizuar akuzohen Asllan Kuqi, Sylë Krasniqi, Bekim Karaxha, Haxhi Gashi, Rexhë Kolgeci dhe Florina Ferizi.

Sipas aktakuzës, në periudhën janar 2012 deri në shtator 2013, duke vepruar në kuadër të grupit të organizuar, me qëllim të përfitimeve financiare, të akuzuarit janë marrë me kontrabandim të shtetasve të Kosovës.

Aktakuza thotë se i pandehuri Sylë Krasniqi qoftë vetë ose përmes të pandehurve të tjerë, ka dërguar rreth 40 emigrantë për në shtetet e BE-së, duke u marrë nga rreth 5,000 euro secilit.

Për t’i bartur emigrantët në mënyrë ilegale në shtetet e BE-së, aktakuza thotë se të akuzuarit kishin shfrytëzuar ndihmën e personave tjerë në Serbi. Në mesin e tyre, aktakuza i përmend dy persona me emrat Goran dhe Dragan.

Prej Serbisë, emigrantët ishin dërguar në Hungari, shteti anëtar i Bashkimit Europian me të cilin kufizohet Serbia.

Aktakuza përshkruan se Sylë Krasniqi u kishte falsifikuar dokumentet dy prej qytetarëve të cilët do t’i bartte drejt Serbisë për të kaluar në Hungari. Sipas aktakuzës, personi i cili i kishte rregulluar këto dokumente ishte i pandehuri Asllan Kuqi.

Aktakuza gjithashtu thotë se i pandehuri Haxhi Gashi, si anëtar i grupi kriminal, ka pritur emigrantët në lokalin “501” në Suharekë dhe ka bërë transferimin e parave, përderisa i pandehuri tjetër Bekim Karaxha kishte gjetur emigrantët të cilët janë të interesuar të dalin jashtë Kosovës në mënyrë ilegale.

Aktakuza e ngarkon edhe Rexhë Kolgecin që në bashkëpunim me Sylë Krasniqin apo persona tjerë, kanë bërë kontrabandimin e emigrantëve në shtetet e BE-së.

Për të pandehurën Florina Ferizi, Prokuroria pretendon se ekziston dyshimi i bazuar se në bashkëpunim me të pandehurin Bekim Karaxha kanë kryer veprën penale të kontrabandimit me emigrantë në tentativë.

Aktakuza thotë gjithashtu se i pandehuri Asllan Kuqi ka bërë falsifikime te dokumenteve me qëllim të përdorimit të tyre, ndërsa i pandehuri Kujtim Maliqaj akuzohet se e ka falsifikuar pasaportën në emër të tij.

Vazhdon gjykimi i të akuzuarve për kontrabandim të migrantëve drejt BE-së për 5.000 euro