Deklarimi rreth fajësisë i të akuzuarve për deportimin e 6 shtetasve turq

Në kohën kur po bëhen tre vite prej se gjashtë shtetas turq ishin deportuar nga Kosova, tre zyrtarë të lartë shtetëror janë ulur në bankën e të akuzuarve në Kosovë.

Ata po akuzohen se në kundërshtim me ligjin kishin deportuar shtetasit turq me arsyetimin se paraqisnin rrezik kundër vendit.

Me këto akuza janë ngarkuar nga Prokuroria Speciale ish- shefi i AKI-së Driton Gashi dhe dy zyrtarët Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani.

Në aktakuzën që e përfaqëson prokurorja Habibe Salihi të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se deportimi i shtetasve turq ishte kryer pa u njoftuar Presidenti dhe Kryeministri i vendit.

Ish-shefi i AKI akuzohet se e ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim që gjashtë shtetasit turq t’i dëbojë me forcë dhe kundërligjshëm nga Kosova dhe t’ua dorëzojë autoriteteve turke.

Sipas Prokurorisë Speciale, Gashi i kishte rekomanduar departamentit për shtetësi dhe migracion që të revokojë leje qëndrimet për shtetasit turq se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të vendit, ndonëse nuk ishte provuar fare ky rrezik.

Ai akuzohet edhe se i kishte rekomanduar Rrahman Sylejmanit, Drejtorit të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, të lëshojë urdhrat për dëbim dhe për këto nuk i kishte informuar Presidentin e as Kryeministrin.

Ndërsa Valon Krasniqi, sipas Prokurorisë Speciale e ka keqpërdorur detyrën zyrtare ne momentin që ka marrë vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të cilat kanë pasur shtetasit turq.

Këto veprime Krasniqi akuzohet se i ka marrë vetëm duke u bazuar në rekomandimin e shefit të AKI-së për revokimin e lejeve të qëndrimit.

Kjo sipas Prokurorisë ishte bërë pa u vërtetuar fare nëse informacionet e AKI-së plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara me ligj për të vërtetuar se të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Për dallim nga të akuzuarit e lartë cekur, Rrahman Sylejmani, akuzohet edhe për privim të kundërligjshëm të lirisë, pasi sipas Prokurorisë ai me ndihmën e Policisë së Kosovës i kishte privuar kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar me dhunë nga Kosova në Turqi.

Për këto akuza tre zyrtarët e lartë shtetërorë u deklaruan të pafajshëm.

Seanca ndaj ish-shefit të AKI-së, Driton Gashi, i akuzuar lidhur me deportimin e gylenistëve.
FOTO-Era Hasani/KALLXO.com

Në mëngjesin e 29 marsit 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina ishin arrestuar e më pas deportuar për në Turqi.

Arrestimi i tyre u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Ish-shefi i AKI-së i akuzuar në rastin ‘Gylenistët’ deklarohet rreth fajësisë në Gjykatë – FOTO