Foto: KALLXO.com

Deportimi i “gylenistëve”, i akuzuari flet për personin që u deportua gabimisht dhe u dënua në Stamboll

Në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës janë ulur sot Driton Gashi, ish-shefi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, drejtori i Departamentit të Shtetësisë, Valon Krasniqi dhe drejtori i Migracionit, Rrahman Sylejmani, të cilët akuzohen për deportimin e gjashtë shtetasve turq.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të akuzuarit i rëndon me veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe privimi i kundërligjshëm i lirisë.

Shtetasit turq  Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan më 29 mars të vitit 2018 e më pas u deportuan për në Turqi.

Ndonëse i deportuar gabimisht, Hasan Husejn Guneken, sipas raportimeve të mediave turke u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Gjatë seancës së sotme kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, ka bërë të ditur se trupi gjykues sipas detyrës zyrtare do të kërkojë të sigurojë një raport të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, i cili do të administrohet si provë në seancat pasuese.

Sipas Gjykatës, në seancën e kaluar i akuzuari Driton Gashi edhe pse kishte shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, ai kishte përmendur një raport të AKI-së, i cili ka të bëjë me vlerësim të brendshëm në lidhje me shkeljet e drejtorit të kësaj Agjencie.

Mbrojtjen e tij e dha i akuzuari Rrahman Sylejmani, i cili u është përgjigjur pyetjeve të parashtruara nga avokati i tij, Flakron Sylejmani,  si dhe pyetjeve të karakterit sqarues të anëtarëve të trupit gjykues – Musa Konxheli dhe Suzana Çerkini.

Gjatë mbrojtjes së tij, Sylejmani ka sqaruar se në ditën kritike të deportimit të shtetasve turq, ai ka qenë në Aeroportin “Adem Jashari”, kur kishte marrë informatën se njëri prej shtetasve turq ishte duke e kontestuar identitetin në bazë të të cilit e kishin arrestuar, e i cili ishte Hasan Husejn Guneken.

“Më kanë informuar se një shtetas turk po e konteston identitetin e tij. Unë kam hyrë brenda në Aeroport dhe kam kërkuar që të kërkohet suspendimi i deportimit të këtij personi deri sa të sqarohet kjo çështje” – u shpreh ai.

Sylejmani sqaroi se Guneken gjatë arrestimit kishte thënë se personi i kërkuar nga dosja e AKI-së nuk është ai dhe se fotoja në dosjen në fjalë përmban foton e tij si dhe emrin e parë, kurse të gjitha të dhënat e tjera, përfshirë mbiemri, data dhe vendi i lindjes, nuk janë të tij.

Tutje, i akuzuari deklaroi se kishte kërkuar nga Guneken të dëshmonte identitetin e tij dhe faktin se ai nuk ishte personi i kërkuar, por ky i fundit kishte dështuar ta bënte një gjë të tillë.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhjen e tyre me Fetullah Gylenin, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Për këtë, operacioni i AKI-së sipas ekspertit amerikan, kishte ‘pushtuar’ zyrat e Policisë së Kosovës, e cila po ashtu përbënte shkelje, sepse sipas legjislacionit në Kosovë, AKI nuk ka kompetenca të organizojë operacione.

Në vazhdim të seancës së sotme, i akuzuari Sylejmani shfrytëzoi të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

Seanca e radhës është paraparë të mbahet më 23 maj.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t`i lexoni duke klikuar në LINK