Dosja e Prokurorisë: Si u ndërtua skema e korrupsionit për fushën e futbollit në Lipjan?

Nëntë zyrtarë të Komunës së Lipjanit kanë përfunduar në dosjen e Prokurorisë së Prishtinës si të dyshuar për korrupsionin. Ata janë arrestuar dje.

Mbi ta rëndojnë dyshimet se kanë keqpërdorur mjetet publike kur kanë ndërtuar fushën e futbollit në vlerë rreth 300 mijë euro.

Zyrtarët e ngarkuar për vlerësimin e punimeve dyshohet se janë përfshirë në afera korruptive në momentin kur i kanë pranuar si të përfunduara punët të cilat nuk ishin realizuar fare.

Prokuroria po dyshon se duke keqpërdorur detyrën si menaxher i kësaj kontrate në Komunën e Lipjanit, Kushtrim Salihu ka paraqitur në raport se kinse është ndërtuar një fushë futbolli në vlerë 299,555 euro.

Ndërsa, Xhelil Murati, Valëzim Mziu dhe Labinot Dedushi si anëtarë të komisionit vlerësues për pranimin teknik të punimeve të këtij projekti kanë lëshuar certifikatën se është bërë pranimi i punimeve edhe pse punimet nuk janë realizuar sipas kontratës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i dyshuari tjetër Driton Gashi, në cilësinë e menaxherit të kontratës nga firma “Dino”, edhe pse ka qenë në dijeni se punimet nuk janë kryer sipas kontratës, ka përpiluar raport kinse punimet kanë përfunduar.

Pas këtij raporti, dosja e Prokurorisë tregon se janë bërë pagesat nga ana e Komunës së Lipjanit, kështu projekti ka kaluar në fazë të dytë, ku Komuna ka kontraktuar operatorin ekonomik “Konaku Grup” për rregullimin e stadiumeve në Dobrajë të Madhe dhe Magurë në vlerë prej 118.000 euro.

Prokuroria ka dyshime se edhe i pandehuri Labinot Dedushi, tani në pozitën e menaxherit, ka raportuar kinse ky operator ekonomik ka realizuar punimet edhe pse ato nuk janë realizuar.

Kurse ndaj Ismet Jashanicës, Enver Elshanit dhe Rrahman Ollurit ekzistojnë dyshime se në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranim teknik, kanë bërë pranimin teknik edhe pse punimet nuk janë realizuar.

Ndërsa për të pandehurin Metë Bytyqi, Prokuroria po dyshon se në cilësinë e menaxherit të kontratës, edhe pse ka qenë në dijeni se punimet nuk janë kryer përsëri ka bërë pagesat nga ana e Komunës së Lipjanit.

Dyshohet se dëmtuan buxhetin komunal në vlerë 300 mijë euro, kërkohet paraburgim për 9 zyrtarët e arrestuar në Lipjan