Dedaj ‘distancohet’ nga deklarimet e vitit 2014 se ishte kërcënuar nga Hashim Thaçi

Gjergj Dedaj, ish-ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, po vazhdon të japë dëshmi para Dhomave të Specializuara, ku ka thënë se është distancuar nga deklarimet që i ka dhënë në vitin 2014.

Atij nga Prokuroria iu lexua një deklaratë të vitit 2014, në të cilën kishte pohuar se ishte kërcënuar nga Hashim Thaçi.

“Prokurori ju pyet, kush ju tha juve të shkoni lart në mal, ju u përgjigjët: Hashim Thaçi, ai më kishte kapur dorën, më kishte shtrënguar dorën dhe më kishte thënë se kur të mbërrini në Prishtinë unë do të duhej të hiqja dorë nga funksioni i Nënryetarit të Parlamentit të Kosovës dhe nga posti i Presidentit të Partisë Liberale të Kosovës. Unë i thash se nuk do të hiqja dorë nga asnjëri prej këtyre funksioneve dhe nuk heqa dorë. Hashimi më tha edhe nëse je i lirë tani, ne mund të vrasim në Prishtinë, sepse i kemi njerëzit tanë në Prishtinë dhe ngjitëm malit”- deklaroi prokurorja.

Por, sot, në dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara, Dedaj është shprehur ndryshe. Ai ka thënë se ka pasur idhnim dhe deklaratat e tij i ka cilësuar si revanshuese dhe ekzagjëruese. Përderisa ka treguar se është distancuar plotësisht nga ato deklarata të mëparshme.

“Nuk më kujtohet dhe me Hashim Thaçin jemi përshëndetur burrnisht, jo si tani që përshëndeteshim në Covid, por jemi përshëndetë si burrat me dorë, si duhet, dhe tjetër nuk më kujtohet. Unë me këto deklarata që i kam dërguar vitin e kaluar jam distancuar komplet sepse kanë qenë deklarata të dhëna në gjendjen time të rëndë, në procesin e rivarrimeve, ndoshta kam pasur idhnim, idhnime kam pasë shumë të mëdha, për ju të pabesueshme, ishalla kurrë nuk i përjetoni, dhe ndoshta edhe revanshuese dhe ekzagjëruese, të tepërta dhe nga të gjithat jam distancuar dhe të më ktheni në këto ju vetëm po i hapni plagët e Kosovës dhe plagët e mia dhe po e pengoni procesin e pajtimit dhe të faljes”- sqaroi ai.

Ish-ambasadori Gjergj Dedaj është ftuar javën e kaluar në cilësinë e dëshmitarit që të dëshmojë në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.