Dalin para Gjykatës dy të akuzuarit për fajde dhe ndihmë në fajde
Frok Gjugja dhe Anton Domgjoni janë ulur në bankën e të akuzuarve për t’u përballur me aktakuzën e Prokurorisë për veprën penale fajde, ndihmë në fajde dhe dëmtim i pasurisë.
Dosja e Prokurorisë thotë se të dyshuarit kanë dhënë në mënyrë jo proporcionale shuma të parave (dhënie e borxhit) për të cilat më pas kanë përcaktuar kamata mujore.
Në seancën e së enjtes, pas leximit të aktakuzës dy të pandehurit u deklaruan të pafajshëm.
“Jo, nuk e pranoj fajësinë”- thanë të akuzuarit.
Pas kësaj, gjykatësi i çështjes, Refki Piraj ka njoftuar të akuzuarit se kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e aktakuzës dhe provave.
Seanca e radhës u caktua për më 23 janar 2023.
Sipas Prokurorisë Frok Gjugja akuzohet se nga data 23 nëntor 2020 deri më 2 shkurt 2022, kontrakton shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të dhënies së borxhit.
Prokuroria pretendon se i pandehuri i ka dhënë 1 mijë euro borxh para fqinjit në gjendje të rëndë financiare, të cilit mjetet i duheshin për shërimin e djalit të sëmurë.
Dosja thotë se më pas për çdo vonesë i pandehuri i ka caktuar 200 euro kamata mujore.
Tutje në aktakuzë thuhet se i dëmtuari për 14 muaj rresht vazhdon të paguaj nga 200 euro kamata mujore duke i dhënë në total 2,800 euro të pandehurit. Por, kur nuk arrin t’ i jap të hollat, i pandehuri e paralajmëron se përveç 1000 eurove të borxhit dhe 200 eurove në emër të kamatës së muajit janar 2022, për çdo vonesë i dëmtuari duhet të paguaj kamata ditore nga 20 euro, nga të cilat 1,000 euro i dëmtuari i jep më datë 2 shkurt 2022.
Me këto veprime i pandehuri ngarkohet se ka kryer veprën penale – fajdeja.
Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se Frok Gjugja ka përdorur forcë dhe kanosje ndaj të dëmtuarit Sh. H., në mënyrë që ky i fundit të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij.
Prokuroria thotë se i pandehuri më 25 janar 2022, ka shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit ku i drejtohet me fjalët: “A i ke bo paret?”, ndërkaq, kur i dëmtuari i përgjigjet se nuk ka arritur t’ i sigurojë paratë i pandehuri e godet.
“I njëjti fillon të bërtasë dhe ta shajë të dëmtuarin, më pas ia përplas telefonin përtokë dhe e godet me grushte dhe me dorezë të briskut e godet në kokë. Veprime nga të cilat i dëmtuari i ndier i kanosur dhe i frikësuar i premton se do t’ia paguajë kamatat tjera të vendosura nga të cilat 1 mijë euro i dëmtuari ia jep të pandehurit me ç’rast zihet në flagrancë”- përshkruhet në dosje.
Me këto veprime i pandehuri ngarkohet se ka kryer veprën penale – detyrimi.
Në pikën e tretë të akuzës prokuroria pretendon se në ditën kritike i pandehuri pasi e ka fyer dhe sharë të dëmtuarin, ia merr telefonin me të cilin kishte komunikuar dhe e përplasë në tokë duke e bërë të papërdorshëm, më rast të dëmtuarit i shkakton dëm material.
Me këto veprime i pandehuri thuhet se ka kryer veprën penale – asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.
Kurse, kur Frok Gjugja nuk ishte prezent, Prokuroria thotë se i pandehuri Anton Domgjoni i merrte kamatat nga i dëmtuari.
“Anton Domgjoni me dashje dhe me qëllim ndihmon në përfitim të kundërligjshëm të pasurisë për personin tjetër – të pandehurin Frok Gjugja, kur i pandehuri Frok Gjugja, nuk ishte prezent, atëherë i dëmtuari Sh. H., i paguante kamatat tek i pandehuri Anton Domgjoni, në mënyrë që ky i fundit të hollat më pas ia dërgonte të pandehurit Frok Gjugjës” – sqarohet në aktakuzë.
Me këto veprime, Anton Domgjoni akuzohet se ka kryer veprën penale- fajdeja në ndihmë.
KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.