Pamje nga një seancë e kaluar - Foto: KALLXO.com

Të dyshuarit për fajde kundërshtojnë aktakuzën dhe provat e Prokurorisë së Prizrenit

Në gjykimin për fajde, mbrojtja dhe të akuzuarit kanë kërkuar nga Gjykata e Prizrenit të hedhë aktakuzën dhe provat e Prokurorisë.

Frok Gjugja dhe Anton Domgjoni po ngarkohen se kanë dhënë borxh shuma të parave, për të cilat më pas kanë përcaktuar kamata mujore joproporcionale.

Në shqyrtimin e sotëm, Klodian Krasniqi, mbrojtës i të pandehurit Anton Domgjoni, ka theksuar se nuk ka prova të mjaftueshme se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën është ngritur aktakuza.

“Provat e Prokurorisë i konsideroj si të papranueshme dhe të nxjerra në kundërshtim me ligjin” – tha Krasniqi.

I njëjti kërkoi nga Gjykata që të hidhet aktakuza si e pabazuar.

Lidhur me këtë, prokurori i çështjes, Petrit Kryeziu, deklaroi se me veprimet e të akuzuarve janë përmbushur elementet e veprave penale.

Kryeziu kërkoi nga Gjykata që kërkesa për hedhje të aktakuzës të refuzohet si e pabazuar.

“Vlerësoj se kërkesa për hedhje të aktakuzës nga ana e mbrojtjes të refuzohet si e pabazuar e kjo çështje të shkojë në shqyrtim gjyqësor, ku do të administrohen provat e propozuara nga Prokuroria dhe eventualisht ato të mbrojtjes dhe Gjykata të vërtetojë gjendjen faktike dhe të nxjerrë aktgjykim meritor” – tha prokurori Kryeziu.

Prokuroria tutje konsideroi se masat e fshehta teknike janë aplikuar me urdhëresë të Gjykatës.

Paraprakisht, në këtë shqyrtim, gjykatësi i çështjes Refki Piraj konstatoi se ka pranuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës nga Kosovare Kelmendi, avokate e të pandehurit Frok Gjugja.

Në fund të seancës, prokurori Petrit Kryeziu kundërshtoi kërkesën e mbrojtjes që të pandehurve t’u ndërpritet masa e paraqitjes në stacion policor.

Lidhur me kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe ndërprerjen e masës së paraqitjes në stacionin policor Gjykata do të marrë vendim.

Sipas Prokurorisë, Frok Gjugja akuzohet se nga data 23 nëntor 2020 deri më 2 shkurt 2022, kontrakton shuma joproporcionale të pasurisë në këmbim të dhënies së borxhit.

Prokuroria pretendon se i pandehuri  i ka dhënë 1 mijë euro borxh para fqinjit në gjendje të rëndë financiare, të cilit mjetet i duheshin për shërimin e djalit të sëmurë.

Dosja thotë se më pas për çdo vonesë i pandehuri i ka caktuar 200 euro kamata mujore.

Tutje në aktakuzë thuhet se i dëmtuari për 14 muaj rresht vazhdon të paguajë nga 200 euro kamata mujore duke i dhënë në total 2,800 euro të pandehurit. Por, kur nuk arrin t’ i japë të hollat, i pandehuri e paralajmëron se përveç 1,000 eurove të borxhit dhe 200 eurove në emër të kamatës së muajit janar 2022, për çdo vonesë i dëmtuari duhet të paguajë kamata ditore nga 20 euro, nga të cilat 1,000 euro i dëmtuari i jep më 2 shkurt 2022.

Me këto veprime i pandehuri ngarkohet se ka kryer veprën penale – fajdeja.

Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se Frok Gjugja ka përdorur forcë dhe kanosje ndaj të dëmtuarit Sh. H., në mënyrë që ky i fundit të kryejë veprime në dëm të pasurisë së tij.

Prokuroria thotë se i pandehuri më 25 janar 2022, ka shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit ku i drejtohet me fjalët: “A i ke bo paret?”, ndërkaq, kur  i dëmtuari i përgjigjet se nuk ka arritur t’ i sigurojë paratë, i pandehuri e godet.

“I njëjti fillon të bërtasë dhe ta shajë të dëmtuarin, më pas ia përplas telefonin përtokë dhe e godet me grushte dhe me dorezë të briskut e godet në kokë. Veprime nga të cilat i dëmtuari i ndier i kanosur dhe i frikësuar i premton se do t’ia paguajë kamatat e tjera të vendosura nga të cilat 1 mijë euro i dëmtuari ia jep të pandehurit me ç’rast zihet në flagrancë”- përshkruhet në dosje.

Me këto veprime i pandehuri ngarkohet se ka kryer veprën penale – detyrimi.

Në pikën e tretë të aktakuzës Prokuroria pretendon se në ditën kritike i pandehuri pasi e ka fyer dhe sharë të dëmtuarin, ia merr telefonin me të cilin kishte komunikuar dhe e përplasë në tokë duke e bërë të papërdorshëm, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material.

Me këto veprime i pandehuri thuhet se ka kryer veprën penale – asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Kurse, kur Frok Gjugja nuk ishte prezent, Prokuroria thotë se i pandehuri Anton Domgjoni i merrte kamatat nga i dëmtuari.

“Anton Domgjoni me dashje dhe me qëllim ndihmon në përfitim të kundërligjshëm të pasurisë për personin tjetër – të pandehurin Frok Gjugja, kur i pandehuri Frok Gjugja, nuk ishte prezent, atëherë i dëmtuari Sh.H., i paguante kamatat tek i pandehuri Anton Domgjoni, në mënyrë që ky i fundit të hollat më pas ia dërgonte të pandehurit Frok Gjugjës” –  sqarohet në aktakuzë.

Me këto veprime, Anton Domgjoni akuzohet se ka kryer veprën penale – fajdeja në ndihmë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.