Gjykimi per fajde dhe detyrim

Nuk prezantojnë në seancë, Gjykata paralajmëron urdhër-arrest për sjellje për dy të dyshuarit për fajde

Gjykata Themelore e Prizrenit ka paralajmëruar se do të lëshojë urdhër –arrest për sjellje me detyrim ndaj dy të dyshuarve për fajde.

Frok Gjugja dhe Anton Domgjoni po akuzohen se kanë dhënë në mënyrë jo proporcionale shuma të parave (dhënie e borxhit) për të cilat më pas kanë përcaktuar kamata mujore.

Në shqyrtimin e sotëm nuk prezantuan dy të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre.

Gjykatësi i rastit, Refki Piraj konstatoi se dy të akuzuarit kanë qenë paraprakisht të njoftuar për mbajtjen e seancës.

Ndërkaq, për avokaten Kosovare Kelmendi, gjykatësi konstatoi se të njëjtës i është dërguar aktakuza përmes email-it më datë 17 janar 2023. Kurse për mbrojtësin e të akuzuarit Anton Domgjoni, avokat Klodian Krasniqi qëndron konstatimi se i njëjti ka revokuar autorizimin.

Lidhur me mungesën e të akuzuarve, prokurori Petrit Kryeziu propozoi që në seancën e radhës të njëjtit të sillen me forcë-polici.

Pas kësaj Gjykata mori vendim që për seancën e radhës kundër të akuzuarve të lëshohet urdhër-arrest për sjellje.

Gjykimi i radhës u caktua për më 13 shkurt 2023.

Sipas Prokurorisë Frok Gjugja akuzohet se nga data 23 nëntor 2020 deri më 2 shkurt 2022, kontrakton shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të dhënies së borxhit.

Prokuroria pretendon se i pandehuri  i ka dhënë 1 mijë euro borxh para fqinjit në gjendje të rëndë financiare, të cilit mjetet i duheshin për shërimin e djalit të sëmurë.

Dosja thotë se më pas për çdo vonesë i pandehuri i ka caktuar 200 euro kamata mujore.

Tutje në aktakuzë thuhet se i dëmtuari për 14 muaj rresht vazhdon të paguaj nga 200 euro kamata mujore duke i dhënë në total 2,800 euro të pandehurit. Por, kur nuk arrin t’ i jap të hollat, i pandehuri e paralajmëron se përveç 1000 eurove të borxhit dhe 200 eurove në emër të kamatës së muajit janar 2022, për çdo vonesë i dëmtuari duhet të paguaj kamata ditore nga 20 euro, nga të cilat 1,000 euro i dëmtuari i jep më datë 2 shkurt 2022.

Me këto veprime i pandehuri ngarkohet se ka kryer veprën penale – fajdeja.

Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se Frok Gjugja ka përdorur forcë dhe kanosje ndaj të dëmtuarit Sh. H., në mënyrë që ky i fundit të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij.

Prokuroria thotë se i pandehuri më 25 janar 2022, ka shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit ku i drejtohet me fjalët: “A i ke bo paret?”, ndërkaq, kur  i dëmtuari i përgjigjet se nuk ka arritur t’ i sigurojë paratë i pandehuri e godet.

“I njëjti fillon të bërtasë dhe ta shajë të dëmtuarin, më pas ia përplas telefonin përtokë dhe e godet me grushte dhe me dorezë të briskut e godet në kokë. Veprime nga të cilat i dëmtuari i ndier i kanosur dhe i frikësuar i premton se do t’ia paguajë kamatat tjera të vendosura nga të cilat 1 mijë euro i dëmtuari ia jep të pandehurit me ç’rast zihet në flagrancë”- përshkruhet në dosje.

Me këto veprime i pandehuri ngarkohet se ka kryer veprën penale – detyrimi.

Në pikën e tretë të akuzës prokuroria pretendon se në ditën kritike i pandehuri pasi e ka fyer dhe sharë të dëmtuarin, ia merr telefonin me të cilin kishte komunikuar dhe e përplasë në tokë duke e bërë të papërdorshëm, më rast të dëmtuarit i shkakton dëm material.

Me këto veprime i pandehuri thuhet se ka kryer veprën penale – asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Kurse, kur Frok Gjugja nuk ishte prezent, Prokuroria thotë se i pandehuri Anton Domgjoni i merrte kamatat nga i dëmtuari.

“Anton Domgjoni me dashje dhe me qëllim ndihmon në përfitim të kundërligjshëm të pasurisë për personin tjetër – të pandehurin Frok Gjugja, kur i pandehuri Frok Gjugja, nuk ishte prezent, atëherë i dëmtuari Sh. H., i paguante kamatat tek i pandehuri Anton Domgjoni, në mënyrë që ky i fundit të hollat më pas ia dërgonte të pandehurit Frok Gjugjës” –  sqarohet në aktakuzë.

Me këto veprime, Anton Domgjoni akuzohet se ka kryer veprën penale – fajdeja në ndihmë.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Aktakuzë ndaj prizrenasit, akuzohet se i dha fqinjit para borxh për djalin e sëmurë e më pas ia kërkoi me kamatë të lartë

Dalin para Gjykatës dy të akuzuarit për fajde dhe ndihmë në fajde