Prokuroria në Prizren | Foto: KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë - “A i ke bo paret gati?", si e shfrytëzuan të dyshuarit për fajde gjendjen e djalit të sëmurë të viktimës

Një aksion i Prokurorisë së Prizrenit ka vënë në paraburgim dy të pandehur që po dyshohen se kanë kryer veprën penale të fajdes.

F.GJ. po ngarkohet për veprat fajdeja, detyrimi dhe asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë kurse i dyshuari i dytë  A.D., për veprën penale fajdeja në ndihmë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, rasti ka ndodhur në Prizren, ku nga data  21 nëntor 2020 deri më datë 2 shkurt 2022, pasi i dëmtuari ishte në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për shërimin e djalit të sëmurë F.GJ., të dëmtuarit i ofrojnë një shumë të të hollave në formë të borxhit të cilin më pas e ngarkojnë me kamata të larta dhe të papërballueshme.

Kurse, më  25 janar 2022, i pandehuri në orët e mbrëmjes shkon në shtëpinë e të dëmtuarit, ku i drejtohet me fjalët: “A i ke bo paret?”, ndërkaq, kur  i dëmtuari i përgjigjet se nuk ka arritur t’ i sigurojë paratë dhe kërkon kohë shtesë, i njëjti fillon të bërtasë dhe ta shajë të dëmtuarin, më pas ia përplas telefonin përtokë dhe e godet me grushte dhe i bën presione për pagesë të kamatave mujore.

Më tej sqarohet se i pandehuri i dytë A.D. gjatë pagesës së kamatave për pesë muaj rresht kur i pandehuri F. nuk ishte prezent, i dëmtuari i paguan kamatat tek i pandehuri A. në mënyrë që ky i fundit të hollat më pas t’ i ketë dërguar të pandehurit F.Gj.

Gjatë ditës së djeshme, Gjykata e Prizrenit ka mbajtur seancën përgatitore ku ndaj dy të dyshuarve ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh duke vlerësuar se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës.

Ndërsa, dy të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre në seancën përgatitore, kanë kundërshtuar caktimin e paraburgimit.

Blerim Mazreku, mbrojtës i të pandehurit F.Gj.,ka deklaruar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit ngase sipas tij, nuk ka prova të mjaftueshme si i pandehuri ka kryer veprat penale për  të cilat akuzohet.

Ai tutje ka shtuar se edhe përkundër faktit se i mbrojturi i tij i ka 20 raste për të cilat zhvillohet procedura, ai nuk ka ikur asnjëherë, prandaj sipas tij edhe në këtë rast nuk ka bazë që i pandehuri të ikë me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penal.

Edhe avokati i të akuzuarit A.D., Klodian Krasniqi, ka kundërshtuar caktimin e paraburgimit se nuk janë përmbushur kushtet  ligjore, po ashtu i mbrojturi i tij nuk do t’i ikë përgjegjësisë dhe nuk do të ndikojë në dëshmitarë apo prova.

Ditë më parë emisioni “Kallxo Përnime”, transmetoi hulumtimin për arrestimin e të dyshuarve për fajde në Prizren.

Siç raportoi “Kallxo Përnime”, një hetim i cili kishte nisur gjashtë muaj më parë kishte përfunduar me pesë të arrestuar në rajonin e Prizrenit nën dyshimin se të njëjtit merreshin me fajde.

Tetë lokacione ishin bastisur, ishin zhvilluar disa takime mes të dyshuarve dhe viktimës, janë konfiskuar një mori dokumentesh, vetura e armë në aksionin e Policisë së Kosovës të udhëhequr nga prokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu.

Më 22 dhjetor ekipe të shumta policore ishin vendosur në Drejtorinë rajonale të Policisë në Prizren. Të njëjtit prisnin urdhrin të ndërhynin e të arrestonin disa persona të cilët dyshoheshin se jepnin fajde ndërsa kamata ishte e lartë.

Si u zbulua rrjeti i fajdexhinjve në Prizren?