Gjykimi për fajde, Mirsad Badalli thotë se ka dhënë dëshmi nën presion dhe se nuk ndjehet i dëmtuar

Gjykata e Prizrenit të martën ka refuzuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të të pandehurve të akuzuar për fajde.

Sipas aktakuzës Naser Koqinaj dyshohet për veprat penale të fajdesë, detyrimit dhënies së ryshfetit dhe mashtrimit, Ihsan Fetahaj dyshohet se në cilësinë e zyrtarit policor ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit, Arlinda Krasniqi ngarkohet për veprën penale mashtrimi dhe Kujtim Gjilani dyshohet se në cilësinë e zyrtarit policor ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në shqyrtimin e sotëm të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre Nazmi Mustafi, Sylë Hoxha, Blerim Cakolli dhe Skender Morina, kanë parashtruar kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në lidhje me propozimet e tyre Gjykata mori vendim që të njëjtat të refuzohen.

Paraprakisht të martën i dëmtuari në këtë proces, Mirsad Badalli ka deklaruar se deklaratat e tij të dhëna në Polici dhe në Inspektoratin Policor i ka bërë nën presion nga personi N. A.

Ai shtoi se vetëm në deklaratën me shkrim të dorëzuar në gjykatë ka treguar të vërtetën.

“Kam dhënë deklarata në Polici disa herë, atëherë kam shkuar vetë dhe e kam treguar rastin. Por për shkak të presioneve prej personit N. A., nuk e kam treguar të vërtetën. Pastaj, në Inspektoratin Policor në Prishtinë kam shkuar bashkë me N. A., dhe kam dhënë deklaratë nën presion të tij, pas një kohe kam dhënë deklaratë në Prokurori por gjatë dhënies së deklaratës nuk kam qenë i koncentruar për shkak të frikës përsëri nga personi N. A., prandaj kam dorëzuar pranë Gjykatës edhe një deklaratë me shkrim në të cilën kam treguar të vërtetën”- deklaroi i dëmtuari Badalli.

Badalli konsideroi se nuk është dëmtuar nga të pandehurit të cilët janë të përfshirë në akuzë, pasi ata vetëm i kanë ndihmuar.

“Unë nuk jam i dëmtuar nga të akuzuarit Naser Koinaj, Ihsan Fetahaj, Arlinda Krasniqi dhe Kujtim Gjilani. Po të mos kish qenë Naseri dhe Ihsani unë kam mujt me qenë në rrezik të madh, ata më kanë drejtuar punët dhe më kanë shpëtuar jetën”- sqaroi i dëmtuari Badalli.

Mungoi në gjykimin për fajde, Gjykata i shqipton 500 euro gjobë avokatit

Sipas aktakuzës të datës 21 dhjetor 2022, Naser Koqinaj akuzohet për veprat penale të fajdesë, detyrimit dhënia e ryshfetit dhe mashtrimit, i akuzuari Ihsan Fetahaj në cilësinë e zyrtarit policor për veprën penale marrja e ryshfetit, i akuzuari Kujtim Gjilani në cilësinë e zyrtarit policor për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe e akuzuara Arlinda Krasniqi për veprën penale mashtrimi.

Sa i përket veprës penale “Fajdeja” nga neni 331 i KPRK-së, prokuroria të akuzuarin Koqinaj e akuzon se prej marsit të vitit 2018 e në vazhdim deri në arrestimin e tij, fillimisht e ndihmon të dëmtuarin Mirsad Badalli që nga ai t’i largojë kanosjet e fajdexhive si B. P. dhe e ndihmon të njëjtin për të kontaktuar me zyrtarët policor të krimeve ekonomike, e pikërisht të pandehurin e dytë Ihsan Fetahu i cili e punon lëndën ku është i dëmtuar Naser Koqinaj, e pasi që të njëjtit fajdexhi procedohen në procedurë penale, kërkon nga i dëmtuari shumën prej 6 mijë eurove, si dhe kërkon që i dëmtuari të autorizojë në llogarinë e tij bankare muaj për muaj mjete me ç’ rast e ka dëmtuar të dëmtuarin në shumë prej 63 mijë e 888 euro e 40 centë.

Për veprën penale të “Detyrimit” nga neni 328 i KPRK-së, prokuroria të akuzuarin Koqinaj e akuzon se prej vitit 2018 e në vazhdim, ka detyruar të dëmtuarin Badalli të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke e kanosur se do ta vret, e merrte atë për krahu, e fuste në automjetin e tij dhe e dërgonte në ndonjë nga bankomatet e “Raiffeisen Bankë” nga ku e detyronte të dëmtuarin të tërheqë para dhe t’ ia dorëzojë atij, e që të njëjtit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 83 mijë e 500 euro.

Tutje, sipas aktakuzës, Koqinaj ngarkohet se më 12 dhe 26 korrik 2019 në Prizren, për të dëmtuarin Mirsad Badalli jep dhuratë të paarsyeshme personit zyrtar – të pandehurit Ihsan Fetahu në mënyrë që ky i pandehur të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare lidhur me kallëzimin penal që e ka ngritur në Prokurori ku Mirsad Badalli ka qenë i dëmtuar, saktësisht i jep dhuratë të pandehurit Ihsan Fetahu dy vetura, “WV Tauran” dhe “WV Golf”, të marra përmes kontratave të Lizingut financiar, të cilat i ka nënshkruar i dëmtuari Mirsad Badalli, e që kapin vlerën së bashku me interesin dhe pjesëmarrjen totale shumën prej 20 mijë 109 euro e 89 centë.

Për këto veprime, Koqinaj po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 i KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Ihsan Fetahaj po akuzohet se nga 12 deri më 26 korrik 2019, në cilësinë e personit zyrtar – hetues i Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, pranon nga i pandehuri Koqinaj dhuratë dy vetura, një veturë e llojit “WV Tauran”, dhe veturën “WV Golf”, vetura këto të marra përmes kontratave të Lizingut financiar të cilat i ka nënshkruar i dëmtuari Mirsad Badalli, e që kapin vlerën së bashku me interesin dhe pjesëmarrjen totale shumën 20 mijë 109 euro e 89 centë.

Për këto veprime, Fetahaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 i KPRK-së.

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Kujtim Gjilani po akuzohet se më 9 gusht 2020 në pikë kalimin kufitar të Vërmicës, në cilësi të personit zyrtar – polic në pikën kufitare të Vërmicës, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, në atë mënyrë që pas marrëveshjes me të pandehurin Naser Koqinaj, i mundëson drejtuesit të automjetit Pezho kalimin e kufirit edhe pse për të njëjtin kishte qenë në dijeni se nuk posedon dokumentacion valid – autorizim për drejtimin e automjetit me targa të shtetit gjerman brenda dhe jashtë shtetit, në mënyrë të njëjtë vepron edhe me datat 17 dhe 30 gusht 2020 dhe 16 tetor 2020, me këtë rast i sjellë drejtuesit të automjetit dobi në formën e qarkullimit me automjet në kundërshtim me Ligjit me nr. 05/L-088 për rregullat e trafikut rrugor dhe Ligjin nr. 05/L-132 për automjetet.

Për këto veprime, Gjilani po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të katërt të aktakuzës, Arlinda Krasniqi dhe Naser Koqinaj, akuzohen se nga 29 gusht 2020, e deri 09 dhjetor 2020 në Prizren, në bashkëveprim, e mashtrojnë të dëmtuarin Mirsad Badallin, ku fillimisht i pandehuri Koqinaj merret vesh me të pandehurën Krasniqi, që e njëjta të krijoj lidhje dashurie me të dëmtuarin Badallaj dhe më pas e pandehura të kërkoj nga i njëjti t’i jep autorizim të pandehurës Arlinda Krasniqi, kështu e njëjta kur është autorizuar nga i dëmtuari Mirsad Badalli nga xhirollogaria e të njëjtit ka transferuar shumat në lartësi prej 4 mijë e 395 euro, e të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material për po të njëjtën vlerë.

Për këto veprime, Koqinaj dhe Krasniqi në bashkëkryerje po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 323 të KPRK-së.