Seanca gjyqësore në Prizren, 6 maj 2022, Foto: KALLXO.com

Mungon i akuzuari, dështon seanca në gjykimin për fajde në Prizren

Në mungesë të të akuzuarit Lekë Shala ka dështuar të mbahet seanca e radhës në Gjykatën e Prizrenit për veprën penale të fajdes.

Shala, sipas Prokurorisë po akuzohet se dy të dëmtuarve Mehmet dhe Luan Morina i ka dhënë 290 mijë euro para hua duke ia kërkuar këto me kamata vjetore në kundërshtim me ligjin.

Më tej Prokuroria pretendon se pasi të dëmtuarit nuk e kishin përmbushur këtë kontratë, i akuzuari ia ka shitur tokën e tyre e cila kishte vlerë 700 mijë euro duke e zbritur në gjysmën e çmimit për 324 mijë e 82 euro.

Miftar Qelaj, mbrojtjes i palës së akuzuar gjatë së premtes deklaroi se Lekë Shala për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore ishte detyruar të kthehej në Zvicër për të marrë tretmanin mjekësor.

I njëjti sipas avokatit kishte ardhur në Kosovë për të prezantuar në gjykim, mirëpo, derisa ka qëndruar këtu i është përkeqësuar gjendja shëndetësore. Lidhur me këtë, avokati Qelaj gjykatës ia bashkëngjiti dhe raportin mjekësor.

Kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha konsideroi se i akuzuari edhe disa herë të tjera ka munguar në gjykim, ndërkaq sot, megjithëse në Kosovë ka qëndruar deri me datë 1 maj 2022, i njëjti ka mundur ta njoftojë gjykatën për caktimin e seancës në kohën sa ka qenë Kosovë.

Nën këto rrethana, ndaj Shalës për datën 13 korrik 2022, gjykata lëshoi kërkesë për sjellje me dhunë.

Sipas prokurorisë, Lekë Shala akuzohet se me datë 24 korrik 2014, duke e ditur se të dëmtuarit-vëllezërit Mehmet dhe Luan Morina janë në gjendje të rëndë financiare lidh kontratë mbi huanë duke i dhënë 290 mijë euro duke përcaktuar që huaja të kthehet me këste.

Aktakuza më tej sqaron se deri me datë 25 korrik 2015, është përcaktuar të kthehet shuma 50 mijë euro ndërkaq, 240 mijë euro duhet të ktheheshin deri më 25 korrik 2016, e nëse nuk mund t’i paguajnë me kohë ata detyrohen ta paguajnë tërë shumën deri në dhjetor të 2016.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Lekë Shala në kundërshtim me Ligjin për marrëdhëniet detyrimore vendos kamatë vjetore 24% edhe pse kamata vjetore me ligj është 8% në vit.

Shala, më tej si pasojë e mospërmbushjes së kësaj kontrate, nëpërmjet përmbaruesit kërkon shitjen e paluajtshëmrisë të lënë peng sipas kontratës ku parcelën kadastrale të vlerësuar 700 mijë euro në emër të borxhit e shet për 324.682,00 euro duke i shkaktuar dëme në vlerë prej gjysmës së diferencës së çmimit.

Me këtë sipas Prokurorisë i akuzuari Lekë Shala akuzohet se ka kryer veprën penale të fajdes.