Prokuroria e Gjilanit

Aktakuzë ndaj profesorit nga Gjilani për ngacmim seksual 

Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit K. K., për ngacmim seksual në rastin e viktimës, Medina Dauti.

Lajmi për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës së Gjilanit, Sabit Shkodra.

K.K., profesor në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, është arrestuar gjatë muajit shtator nën dyshimin se e ka shqetësuar një grua përmes mesazheve në rrjete sociale.

Kërkohet caktimi i masës së paraburgimit ndaj profesorit në Gjilan që dyshohet për ngacmim të një gruaje

Gruaja në fjalë është ish-nxënëse e tij dhe ajo e kishte denoncuar edhe më parë profesorin në organet e rendit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, profesori në fjalë më 29 gusht të këtij viti është shpallur fajtor që për gati 3 vite, në mënyrë të vazhdueshme e me dashje dhe me qëllim e ka penguar të dëmtuarën me mesazhe në rrjete sociale dhe e ka ndjekur atë në vendet ku ajo ka qenë.

Në dosje është treguar se bëhet fjalë për periudhën kohore nga maj 2019 deri më 29 janar 2022.

Tutje në këtë dosje është thënë se profesori në korrik të vitit 2019 ia kishte shfaqur dashurinë të dëmtuarës, e cila në dosje thuhet se i kishte treguar se nuk dëshiron lidhje dashurie me të për arsye se ai ishte ish-profesori i saj në Gjimnaz.

E dëmtuara po ashtu në dosje thuhet se në korrik të vitit 2019 edhe e kishte bllokuar numrin e të akuzuarit dhe po ashtu e kishte bllokuar atë në të gjitha rrjetet sociale në mënyrë që të mos kishte asnjë kontakt me të.

Pas këtyre veprimeve të të dëmtuarës, profesori kishte vazhduar që ta ngacmojë atë prapë, mirëpo kësaj radhe duke i shkruar shoqes së të dëmtuarës. Profesori i Gjimnazit të Gjilanit, sipas dosjes së Prokurorisë, më 22 shtator 2021 i shkruan shoqes të të dëmtuarës përmes profilit të motrës së tij.

Në këto mesazhe, në dosje është thënë se profesori kishe insistuar që të afrohej me të dëmtuarën kundër vullnetit të saj.

Pas gati 3 muajve, më 18 dhjetor 2021 profesori kishte shkuar në një kafiteri të Gjilanit ku, sipas dosjes, aty ishte edhe e dëmtuara.

Tutje në dosje është thënë se pas kësaj e dëmtuara e kishte denoncuar profesorin në Polici, përderisa profesori kishte premtuar se nuk do ta përsëriste më.

Në dosjen e siguruar nga KALLXO.com tutje është thënë se premtimi i të akuzuarit nuk ishte mbajtur pasi i njëjti kishte vazhduar prapë që përmes shoqeve të të dëmtuarës ta ngacmonte atë.

Më 24 janar 2021, në dosje thuhet se K.K. e ka ndjekur njërën shoqe të të dëmtuarës në rrugën “Adem Jashari” duke i kërkuar asaj që të shkojnë në kafe dhe të bisedojnë për rastin e raportuar në Polici nga e dëmtuara.

Në dosje thuhet se shoqja e kësaj të fundit nuk ka pranuar këtë ftesë për kafe, mirëpo profesori nuk është ndalur me kaq. Ai në po të njëjtën ditë i ka shkruar motrës së shoqes të së dëmtuarës duke i kërkuar që t’ia mundësojë një bisedë me një shoqe tjetër të së dëmtuarës.

Lidhur me rastin, Gjykata e Gjilanit më 29 gusht 2022 kishte shpallur fajtor profesorin K.K. dhe e ka dënuar me dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë e 200 euro, të cilën ai obligohet që ta paguajë në afat prej 3 muajve.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast:

 

Dosja e Prokurorisë: Si e ngacmoi profesori në Gjilan ish-nxënësen e tij për tri vite radhazi?

Viktima e ngacmimit seksual në Gjilan rrëfen se si e raportoi në Polici ish-profesorin e saj