Foto: KALLXO.com

9 të akuzuarit për trafikim të kokainës deklarohen rreth fajësisë

Nëntë anëtarët e dyshuar të rrjetit të trafikimit të kokainës kanë dalë sot para Gjykatës së Prishtinës për t’u deklaruar rreth fajësisë ose pafajësisë.

Në mesin e tyre është edhe ish-polici Bunjamir Jaha.

Sipas Prokurorisë, prej  datës 16 maj 2018 e deri më 7 tetor 2018, i akuzuari Bunjamir Jaha së bashku me të akuzuarit e tjerë Shpejtim Hamiti, Flamur Hamiti, Pajtim Hamiti, Bashkim Braha dhe Shkëlqim Ilazi në territorin e Ferizajt, Kaçanikut dhe fshatrave të këtyre komunave kanë shitur kokainë dhe kanabis.

Pasi të akuzuarit i kishin ndarë rolet, i akuzuari Bunjamir Jaha tashmë ish-zyrtarë policor ishte furnizuar me kokainë në Shqipëri dhe kur kishte arritur në pikën kufitare të Vërmicës i akuzuari ishte ndaluar për kontroll me ç’rast i është gjetur kokainë në sasi 549.44+0.0001 gram.

Në të njëjtën kohë në qytetin e Ferizajt është  kontrolluar banesa e marrë me qira nga i akuzuari Shpejtim Hamiti, në të cilën përgatitej kokaina dhe bëhej gati për shtije.

Në këtë banesë ishin gjetur sasia e  kokainës prej 2+0.0001 gram, sasia e kanabisit prej 5.54+0.0001 gram si dhe peshoja elektrike për matjen, ndarjen, renditjen  dhe sistemimin e drogave.

Seanca e sotme e shqyrtimit fillestar filloi me të akuzuarin Bunjamir Jaha, tashmë ish-polic, i cili u deklarua se e pranon fajësinë për trafikimin e kokainës nga Shqipëria në Kosovë.

Polici i Kosovës e pranon se ishte pjesë e trafikut të kokainës

I akuzuari Shpejtim Hamiti e pranoi fajësinë për trafikim  të kokainës ndërsa u deklarua i pafajshëm për shpëlarje të parave.

Pranimin e fajësisë e mbështetën avokati Islam Musa dhe prokurori special Atdhe Gashi, i cili për veprën shpëlarje të parave tha se vazhdon gjykimi.

I akuzuari Pajtim Hamiti po ashtu e pranoi fajësinë për trafikimin e kokainës dhe kanabisit dhe u shpreh i penduar dhe premtoi se nuk do të përsërisë më këtë vepër.

Ndërsa i akuzuari Bashkim Braha tha se e pranon fajësinë për veprat penale trafikim të kokainës dhe armëmbajtje pa leje, por u deklarua i pafajshëm për veprën penale shpëlarje të parave.

Ndërsa të akuzuarit Shkëlqim Ilazi, Arburim Ahmeti, Shkumbin Berisha, Ardonit Mustafa dhe Flamur Hamiti deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë.

Gjykatësi Arben Hoti refuzoi kërkesat e mbrojtësve të të akuzuarve për ndërprerjen e masës së paraburgimit dhe mori vendim se vazhdon masa e paraburgimit deri në nxjerrjen e vendimit gjyqësor.

Shqyrtimi i dytë u caktua për më 6 dhjetor.

Ndërsa për të akuzuarit Bunjamir Jaha dhe Pajtim Hamiti u veçua procedura penale.

Ndaj të akuzuarve  Bunjamir Jaha dhe Pajtim Hamiti vendimi do të shpallet më 11 nëntor.

Ky rast ishte hulumtuar nga Kreshnik Gashi dhe emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte transmetuar hulumtimin “Polici në rrjetin e kokainës” më 26 prill 2019.

www.kallxo.com