Lëndohen 5 Nxënës nga Plasja e Nxehjes së Shkollës në Pejë

Në shkollën Fillore “Dardania” në Pejë ka ndodhur një shpërthim i sistemit të nxehjes, çka u konfirmua për KALLXO.com nga drejtori i Spitalit Rajonal të Pejës Skender Dreshaj.

Ai tha se në emergjencë janë pranuar pesë fëmijë të klasës së gjashtë me djegie, dhe në dy prej tyre sipërfaqja e djegies së lëkurës është më e madhe.

Të dy nxënësit e pranuar kanë sipërfaqe të djegies në masën 30 për qind, por fatmirësisht fytyra dhe sytë nuk janë lënduar. Tre prej tyre janë në gjendje stabile me djegie të shkallës së dytë në repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Pejës

Dreshaj thotë se dy nga pesë fëmijët e lënduar janë dërguar për në QKUK por sipas tij edhe ata janë në gjendje stabile por kanë nevojë për trajtim më të gjerë.

Sipas tij në Spitalin Rajonal të Pejës situata është nën kontroll

“Ka pasur tollovi të krijuar për shkak të familjarëve por këta fëmijë kanë qenë me fat që nuk janë lënduar më shumë”, tha ai.

Drejtorja e kësaj shkolle, Drita Myrtaj [paraqitur në foto], tha për KALLXO.com se pasi që ka shpërthyer nxehja, menjëherë fëmijët e lënduar janë bartur në spital.

“Për momentin është pezulluar mësimi, për shkak se policia janë në vendin e ngjarjes”, tha Myrtaj.

Ajo thotë se nuk e di si ka ardhur deri këtu dhe po pret për raportin e policisë. Ajo tha se për fat nxënësit kanë qenë të veshur trashë dhe uji i valë nuk i ka lënduar më shumë.

Zëdhënësi i Policisë së Pejës, Xhevat Ibraj, tha për KALLXO.com  se është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit dhe Policia ka dal në vendin e ngjarjes.

Sipas Ibraj, Policia më vonë do të dalë me një qëndrim rreth rastit.