ZPS publikon të dhëna rreth deklaratave dhe dëshmive të rastit Thaçi dhe të tjerët si të dyshuar dhe dëshmitarë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka publikuar informacione rreth deklaratave të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të bëra si të dyshuar dhe dëshmitarë në hetimet e ZPS-së.

Prokuroria (SPO) ka kërkuar nga Paneli që të pranojë si prova të rëndësishme procesverbalet dhe dëshmitë paraprake të të akuzuarve të listuara në Aneksin 1 të këtij mocioni.

Më 13 dhe 14 janar 2020, ZPS zhvilloi një intervistë me ish-presidentin Hashim Thaçi ku ai është njoftuar se kishte një hetim penal dhe se kishte bazë për të besuar se ai ka qenë i përfshirë në kryerjen e një krimi brenda juridiksionit të DhSK-së.

Pas njoftimit të të drejtave të tij, ai pranoi t’u përgjigjej pyetjeve dhe hoqi dorë nga e drejta e tij për të heshtur dhe për të pasur një avokat të pranishëm gjatë marrjes në pyetje.

“Thaçi ofroi dëshmi për ngjarjet që kanë të bëjnë me akuzat, duke përfshirë, por pa u kufizuar në: (i) anëtarësimin e tij në UÇK; (ii) përfshirjen dhe udhëheqjen e tij në Drejtorinë Politike dhe Informative të UÇK-së; (iii) vendndodhjen e tij dhe vendndodhjen e anëtarëve dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së;(iv) marrëdhëniet e tij me, ndër të tjera, Adem DEMAҪI, Jakup KRASNIQI, Rame BUJA, Azem SYLA, Agim ҪEKU, Sylejman SELIMI, Xhavit HALITI, Sokol BASHOTA, Rexhep SELIMI, BRAHIMAJ, Kadri VESELI, Xheladin GASHI, Jashar SALIHU, dhe Bislim ZYRAPI, (v) anëtarësimi i tij në Shtabin e Përgjithshëm dhe funksionimi i tij; (vi) transportimi i armëve në Kosovë për UÇK-në; (vii) masat disiplinore brenda UÇK-së;(viii) Policia Ushtarake e UÇK-së;(ix) trajtimi i ‘bashkëpunëtorëve’; (x) njohuritë e tij dhe përfshirja në arrestime dhe ndalime; (xi) beteja e Gllogjanit më 24 mars 1998;dhe (xii) Konferenca e Rambujesë”- thuhet në shkresën e ZPS.

Më tej bëhet e ditur se ai ka dhënë dëshmi mbi anëtarësimin e tij në UÇK dhe marrëdhëniet e tij me personat e tjerë.

“Thaçi ofroi dëshmi për ngjarje të rëndësishme për akuzat, duke përfshirë, por pa u kufizuar në: (i) anëtarësimin e tij në UÇK; (ii) lëvizjet e tij brenda dhe jashtë Kosovës; (iii) udhëheqjen e tij të Drejtorisë për Informim të UÇK-së; (v) strukturat komanduese, hierarkinë dhe bazat e UÇK-së; (vi) marrëdhëniet e tij me, ndër të tjera, Bislim ZYRAPI, Rexhep SELIMI, Sabit GECI, Sylejman SELIMI, Kadri VESELI, Agim ҪEKU dhe Azem SYLA; (vii) Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së; (viii) arrestimi dhe ndalimi i disa personave; dhe (ix) funksionet dhe roli i tij politik në negociatat dhe nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë”- sqarohet në shkresë.

Më 6 maj 2016, PSRK-ja zhvilloi një intervistë me të dyshuarin e atëhershëm Hashim Thaçi.

Ai ishte informuar se kishte një çështje penale kundër tij dhe se kishte bazë për të besuar se ai kishte qenë i përfshirë në kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile sipas neneve 142 dhe 22 të KPRSFJ-së.

Në shkresë thuhet se Thaçi kishte deklaruar se i kishte kuptuar veprat penale për të cilat akuzohej dhe pranoi se i ishin bërë vërejtjet që i ishin lexuar dhe ishte njoftuar me të drejtat e tij si i akuzuar nga neni 152 i KPP.

Ai nuk ka dashur të angazhoj një avokat për mbrojtjen e tij në atë fazë të procedimit penal.

“Marrja në pyetje është regjistruar me shkrim në mungesë të pajisjeve teknike. Procesverbali i intervistës iu lexua me zë të lartë dhe ai e firmosi. Gjatë intervistës së THAÇI-t në maj 2016 në PSRK, THAÇI iu përgjigj pyetjeve dhe ofroi dëshmi në lidhje me ngjarjet që kanë të bëjnë me akuzat, duke përfshirë, por pa u kufizuar në: (i) rolin e tij brenda UÇK-së; (ii) Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, (iii) nxjerrja e komunikatave të UÇK-së; dhe (iv) lëvizjet e tij brenda Kosovës”- thuhet në vijim.

Ndërkaq, më 8 nëntor 2011, Thaçi ishte thirrur si dëshmitar në hetimin e PSRK-së kundër Arben Krasniqi, etj. Ai po ashtu kishte dhënë përgjigje rreth lëvizjeve të tij në Kosovë dhe Shqipëri.

“Më pas ai iu përgjigj pyetjeve, duke ofruar informacione për: (i) rolin e tij në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në vitin 1999; dhe (ii) lëvizjet e tij në Kosovë dhe Shqipëri përafërsisht nga shkurti deri në prill 1999, duke përfshirë informacione për anëtarët dhe udhëheqësit e tjerë të UÇK-së me të cilët ai takoi ose udhëtoi (përfshirë Xhavit HALITI, Jakup KRASNIQI, Azem SYLA, Agim ҪEKU, Bislim ZYRAPI, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Kadri VESELI dhe Rexhep SELIMI)”- thotë shkresa.

Më 3 korrik 2018, Thaçi thuhet se u thirr si dëshmitar në rastin penal të PSRK-së kundër të dyshuarit ‘NN, etj ’, lidhur me veprën penale të vrasjes.

“THAÇI iu përgjigj pyetjeve, ndër të tjera, për marrëdhënien e tij me Ramiz LLADROVCIN dhe Milaim ZEKA-n, dhe iu drejtua një pretendimi se LLADROVCI po e shantazhonte atë “në lidhje me rastin e vrasjes apo rënies së” viktimës në fjalë dhe mohoi të kishte dijeni për vendndodhjen e viktimës”- citohet në shkresë.

Gjatë deklaratës së Thaçi-t në maj 2004, në ish-Tribunalin e Hagës thuhet se iu përgjigj pyetjeve dhe ofroi prova në lidhje me ngjarjet që kanë të bëjnë me akuzat, duke përfshirë por pa u kufizuar në: “(i) anëtarësimin e tij në UÇK që nga themelimi i saj në vitin 1992;(ii) marrëdhëniet e tij me Jakup KRASNIQIN, Fatmir LIMAJ, Ismet JASHARI, Sahit JASHARI, Fehmi LLADROVCI, Jakup LLADROVCI, Haxhi SHALA, Shukri BUJA dhe Bislim ZYRAPI;(iii) Shtabi i Përgjithshëm dhe komunikimi, struktura komanduese dhe bazat e tij; (iv) përgjegjësia e tij operative gjatë udhëtimit për në Kosovë; (v) Policia Ushtarake e UÇK-së; (vi) trajtimi i ‘bashkëpunëtorëve’;  (vii) njohuritë dhe përfshirja e tij në arrestime dhe ndalime; dhe (viii) Beteja e Gllogjanit më 24 mars 1998”- përshkruhet në shkresë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023 e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e publikuar janë bërë të ditur edhe emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë në vitin 1998 dhe 1999.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.