Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zotimet e kandidatëve për Istogun për furnizim me ujë të pijshëm

Kandidatët për kryetar të Istogut kanë dhënë premtimet e tyre për ujin e pijshëm në këtë komunë.

Agron Avdijaj nga Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë premtimet për furnizimin me ujë të pijshëm në disa fshatra të Istogut.

“Këtu është paradoksi. Istogu njihet si vendi që ka më shumë burime të ujit e ka ende probleme me ujë të pijes e sidomos kjo pjesa e mbi vadës. Edhe në pjesët e tjera ku ka ujë  por gjatë verës kanë mungesë të ujit. Tash janë duke bo punime që me e kry projektin para zgjedhjeve e banorët po ankohen që punimet janë duke shku ‘shkel e shko’”, ka thënë Avdijaj.

Ndërsa Ali Nimanaj nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se nëse arrin ta marrë qeverisjen e kësaj komune asnjë qytetar nuk do të ketë probleme me ujë të pijshëm.

Gjatë mandatit tim qeverisës të gjithë qytetarët e Istogut do të kenë ujë të pijes. Në pjesën e mbi vadës ka katër muaj që nuk ka ujë të pijes edhe pse ekziston sistemi i ujësjellësit”, ka deklaruar Nimanaj.

E Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se aktualisht në Istog është në proces projekti për ujë për të cilin kishte punuar në kohën e qeverisjes Haradinaj.

“Ky projekt që është 5-6 milionë euro, e që unë gjatë qeverisjes Haradinaj kam insistuar e është nënshkruar, e tani ky projekt po zbatohet. Ka familje që nga komuna ju është thënë se nuk mund të kyçen në këtë rrjet për shkak se nuk dihet a mund të furnizohet ajo pjesë me ujë për shkak të lartësisë mbi Istog. Ndoshta duhet me e pa mundësinë me ndërtu penda në Bjeshkët e Uçës”, ka thënë Berisha.

E Ilir Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se disa fshatra kanë probleme me ujë për shkak të lartësisë mbidetare se ku gjenden.

“Mendoj që uji do të vije shumë shpejt në zonën e mbi vadës për shkak se projekti është në proces. Sigurisht që kemi me i ndreq problemet por për shkak se disa vende janë në lartësi më të madhe kanë problem me ujë”, ka thënë Ferati.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Istogut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Istogut, Agron Avdijaj nga LVV; Ali Nimanaj nga PDK; Bekë Berisha nga AAK; Idriz Blakaj nga IBI; Ilir Ferati nga LDK. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Istogut: Delvina Sylaj nga LDK; Fjoralba Raci nga LVV; Jehonë Mehmetukaj nga AAK dhe Lirije Demiri-Sadikaj nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.