Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

ZKA: KEK ende pa procedurë të brendshme për tregtimin e energjisë elektrike

Korporata Energjetike e Kosovës ende nuk ka arritur të përgatisë dhe të aprovojë procedurën për tregtimin e energjisë elektrike, ani pse kjo është kërkesë ligjore.

Kështu ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj për vitin 2022.

Sipas ZKA-së procedura për tregtimin e energjisë elektrike “PR-MO-11” përcakton parimet e përgjithshme të blerjes dhe shitjes së energjisë elektrike, por që KEK ende nuk ka arritur të miratojë një procedurë të tillë.

“Për detaje më specifike, kompanitë duhet të zhvillojnë procedurën e brendshme të bazuar në funksionin e tyre në treg, e cila duhet të jetë në përputhje me këtë procedure” – theksohet në raport.

Në këtë raport thuhet se KEK për mos hartimin e kësaj procedure është arsyetuar me ndërrimet e shpeshta në bordin e drejtorëve të kompanisë.

“Përderisa kompania operon në tregtim të energjisë pa procedurë të shkruar mund të ndikoj në ndëshkime nga rregullatori dhe vështirësi gjatë zhvillimit të aktiviteteve të tregimi. Bordi i drejtorëve duhet të sigurojë se janë hartuar dhe aprovuar të gjitha rregulloret dhe procedurat e nevojshme për funksionimin e kompanisë si dhe të bëhet azhurnimi i tyre bazuar në nevojat e kompanisë” – thuhet në raportin e ZKA-së.

Në raportin e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Korporatën Energjetike të Kosovës janë dhënë 15 rekomandime të reja.

Në vitin paraprak, ZKA kishte dhënë 21 rekomandime nga të cilat këtë vit 16 janë zbatuar pjesërisht.

Për vitin 2022, ZKA ka dhënë opinion të kualifikuar për KEK.

Korporata Energjetike e Kosovës është pajtuar me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e ZKA-së.