ZKA: Dy drejtorë të klinikave në QKUK punuan me gjysmë orari, në kundërshtim me statutin

Dy drejtorë të klinikave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë punuar me gjysmë orari në kundërshtim me Statutin e QKUK-së.

Paragrafi 4 i nenit 16 të këtij statuti thotë se drejtorët e klinikave dhe drejtorët e shërbimeve klinike duhet të jenë me orar të plotë të punës në këtë institucion.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e auditimit për pasqyrat financiare për vitin 2022 ka gjetur se në dy raste, kontratat e punës së drejtorëve të klinikave kanë qenë me orar të plotë, ndërsa në listën e pagave kanë figuruar si të punësuar me gjysmë orari, pra 20 orë në muaj.

“Kjo kishte ndodhur si pasojë e angazhimit të drejtorëve edhe në procesin arsimor ku punën në universitet e kishin deklaruar si punë primare ndërsa punën në QKUK si pagë sekondare” – thuhet në këtë raport.

Auditori ka vlerësuar se kjo shkelje rrezikon cilësinë e punës menaxheriale dhe mund të ndikojë në mosarritjen e objektivave.

Rekomandimi i auditorit është që Bordi Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm të sigurojnë se kontratat e punës të zbatohen në pajtim të plotë me Statutin e QKUK-së.

Me këtë gjetje është pajtuar edhe menaxhmenti i SHSKUK-së.