Zjarr i madh në fabrikën e "Comodita"-s në Gjakovë
Lajm në zhvillim
21:50 – ‘Comodita Home’ konfirmon përfshirjen nga zjarri të fabrikës në Gjakovë
“Comodita Home” ka njoftuar se një pjesë e fabrikës në Gjakovë është përshirë nga zjarri.
Sipas njoftimit, nuk ka dëme në njerëz dhe siguria e punëtorëve të saj është prioritet.
“Për transparencë dhe informim të opinionit publik, po ndajmë njoftimin tonë zyrtar lidhur me ngjarjen e sotme në fabrikën Comodita Home. Si pasojë e zjarrit, nuk ka dëme në njerëz.
Siguria e punëtorëve tanë është prioritet. Comodita Home dëshiron t’i falënderojë për intervenim të shpejtë ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e FSK-së, kryetarin e Gjakovës, drejtorin e AME-së, njësitë e zjarrfikësve nga Gjakova, Prizreni, Juniku, Deçani dhe Rahoveci, si dhe pjesëtarët e KFOR-it dhe të FSK-së për shprehjen e gatishmërisë për intervenim” – thuhet në njoftimin e “Comodita Home”.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë të enjten pasdite, më 08.01.2026, rreth orës 16:40, një fabrikë në rrugën “Gjergj Sokoli” në Gjakovë.
21:20 – Zjarri në fabrikën “Comodita Home” – Gazetari Arton Hamiti sjell detajet e fundit nga vendi i ngjarjes
Një zjarr i madh ka përfshirë një pjesë të fabrikës “Comodita Home” në Gjakovë. Për fikjen e zjarrit janë angazhuar zjarrfikës nga disa qendra të Kosovës.
Gazetari i KALLXO.com, Arton Hamiti, sjell detajet e fundit nga vendi i ngjarjes.
19:58 – Zjarri në fabrikën e “Comodita” në Gjakovë afekton shërbimet e “Artmotion”
Zjarri që ka shpërthyer në një fabrikë në Gjakovë ka prekur edhe shërbimet që ofrohen nga platforma “Artmotion”.
“Artmotion” ka njoftuar se për shkak të një zjarri në “Comodita” në Gjakovë, të gjitha shërbimet e saj në atë zonë janë afektuar.
“Ju njoftojmë se për shkak të një zjarri në Comodita Gjakovë, të gjitha shërbimet janë afektuar në këtë zonë. Ekipet tona teknike do të fillojnë rikthimin e shërbimeve sapo të krijohen kushtet për punë. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe durimin tuja”- thuhet njoftimin e “Artmotion”.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë të enjten pas dite, më 08.01.2026, rreth orës 16:40, në rrugën “Gjergj Sokoli” në Gjakovë, një fabrikë është përfshirë nga zjarri.
Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nuk raportohet për persona të lënduar.
18:47 – Zjarri në fabrikën në Gjakovë, Policia jep detaje
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë të enjten pasdite, më 08.01.2026, një fabrikë në Gjakovë.
Sheremet Elezaj, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, ka konfirmuar për KALLXO.com, se një zjarr i madh ka përfshirë një fabrikë në rrugën “Gjergj Sokoli” në Gjakovë.
Ai ka thënë se në vendin e ngjarjes janë njësitet policore dhe zjarrfikësit dhe se janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.
“Rreth orës 16:40, jemi njoftuar se në rrugën “Gjergj Sokoli” në Gjakovë, një fabrikë është përfshirë nga zjarri. Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit. Zjarri është i përmasave të mëdha dhe ekipet emergjente vazhdojnë punën për ta vënë situatën nën kontroll”- tha ai.
Elezaj ka thënë nuk është raportuar për të lënduar.
“Deri në këto momente, bazuar në informatat e pranuara, nuk raportohet për pasoja në njerëz”- ka thënë Elezaj.
Megjithatë, sipas tij, verifikimi i plotë i situatës dhe i pasojave eventuale në njerëz do të bëhet pas shuarjes së plotë të zjarrit.
KALLXO.com ka publikuar pamje të zjarrit që ka përfshirë një fabrikë në Gjakovë.
17:30 – Zjarr i madh në një fabrikë në Gjakovë
Një fabrikë është kapluar nga zjarri pasditen e sotme (08.01.2026), në Gjakovë.
Lajmi është konfirmuar nga Kallxo.com nga drejtori i Policisë Regjionale të Gjakovës, Lumni Graishta.
“Po, njësitet policore, ekipet emergjente dhe zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes. Deri tani nuk ka informata për të lënduar”- ka thënë për Kallxo.com drejtori i Policisë Regjionale të Gjakovës.
Zjarri është konfirmuar për KALLXO.com edhe nga Xhevdet Brahimaj, komandant i batalionit të Zjarrfikësve në Gjakovë.
Ai ka thënë se ekipet e zjarrfikësve janë duke bërë përpjekje ta fikin zjarrin.
KALLXO.com ka siguruar pamje nga zona, në të cilat shihen flakë të mëdha.
