Zgjedhjet në Serbi, dhjetëra serb lokal nisen nga Mitrovica e Veriut për të votuar

07: 26– Janë  krijuar kolonat me autobus dhe vetura në  pikën kufitare në Jarinje, për shkak që qytetar serb lokal po shkojnë në Serbi për të votuar.

Policia e Kosovës është duke mbajtur rendin.

07:07 – Një aksident trafiku ka ndodhur në afërsi të Pikës Kufitare në Jarinje, ku disa vetura janë të përfshira.

Policia e Kosovës është në vendin e ngjarjes.

 06:21 – Me dhjetëra autobus në Mitrovicë të Veriut janë mbushur me qytetarë  lokal serb nga Kosova, të cilët janë duke udhëtuar për në Serbi, atje ku sot do të  mbahen zgjedhjet parlamentare.

Shpallja e këtyre zgjedhje bëri që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq të shpërndajë Parlamentin serb që u zgjodh më 3 prill 2022.

Për tu siguruar që udhëtimi i qytetarëve deri në kufi me Serbinë të jetë i sigurt dhe i qetë janë duke u kujdesur Policia e Kosovës.

Edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR njoftoi se janë të përkushtuar për të siguruar lirinë e lëvizjes gjatë periudhës zgjedhore.

Ekipe të  Carabinierit janë  parë  në  afërsi të  stacionit të  autobusëve.

Politikanët vendor, sidomos ata që janë në qeverisje iu kanë bërë thirrje në vazhdimësi shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të dalin e të votojnë në zgjedhjet e sotme.

Madje, edhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni njoftoi se është siguruar transporti për qytetarët e Gjilanit që kanë të drejtë vote në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi.

Kjo është e dyta herë prej kur qytetarëve serb iu duhet të marrin rrugë për të votuar në zgjedhjet e Serbisë.

Sipas një praktike që daton nga viti 2017, serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në zgjedhjet serbe dhe votat janë grumbulluar nga OSBE-ja. Më pas, ato vota janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytetet kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është lejuar nga autoritetet e Kosovës deri në vitin e kaluar. Më 2022, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ishte thënë se Serbia duhet t’i bëjë kërkesë direkte Kosovës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në territorin e saj.

Në prill të atij viti janë mbajtur zgjedhjet në Serbi, dhe për herë të parë, Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.

Si rezultat, serbët e Kosovës, njëashtu si sot janë organizuar dhe me autobusë kanë udhëtuar drejt Serbisë, për të votuar.

Edhe për zgjedhjet e sotme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 19 nëntor, në një letër dërguar shefit të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport, kishte thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje të posaçme, në mënyrë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, që kanë shtetësi të dyfishtë, të mund të votojnë në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare serbe.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte njoftuar se nuk do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës për komunitetin serb të Kosovës, në mungesë të një kërkese zyrtare nga autoritetet serbe për këtë.