Zgjedhjet në FFK, flasin nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Këshilltari Ligjor në Federatën e Futbollit të Kosovës, Eroll Saliu ka deklaruar për KALLXO.com se në momentin kur është bërë shpallja e zgjedhjeve për të parin e FFK-së është bërë shkelje e statutit të FFK-së.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe zyrtarët nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të marr një prononcim lidhur me këtë çështje.

Fikret Shatri, Ushtrues Detyre në Departamentin për Sport ka konfirmuar për KALLXO.com se i ka nisur një letër ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit për një takim urgjent.

“I nderuar nuk mund të prononcohem për momentin, pasi që po pres një takim urgjent nga hierarkia e MKRS-së”, ka thënë Shatri për KALLXO.com

“I nderuar sekretar,  i respektuari Ministër, ngjarjet e fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe deklarimi publik i ish sekretarit të FFK-së  dhe tani drejtor i përgjithshëm sportiv ( këshilltar i lartë ligjor), kryetar i KAS-it të Komitetit Olimpik të Kosovës. Z Salihu thekson se mënyra e thirrjes së kuvendit zgjedhor, shkel statutin e Federatës së Futbollit ( neni 39. Pika 3 e statutit) mos respektimi i nenit 39, pika 3 të statutit te FFK-së, na obligon të reagojmë, departamenti i sportit të Kosovës, është në kontakt të vazhdueshëm me KOK-un dhe ndajmë shqetësimin e njëjtë me ta, në lidhje me këtë çështje. Ju lutem që brenda mundësive të na caktoni një takim urgjent me ju”, thuhet në letrën dërguar Ministrit të kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, nga Fikret Shatri, Ushtrues Detyre në Departamentin për Sport.

Sipas nenit 30, pika e 4 e ligjit për sportin thuhet se “në qoftë se vendimet Federatave Sportive janë në kundërshtim të hapur me aktet normative të tyre dhe me këtë ligj, atëherë organet përfaquese dhe personat përgjegjës dalin para organeve kompetente të drejtësisë të cilat mund të anulojnë zbatimin e vendimeve dhe të marrin masa përkatëse ndaj personave udhëheqës”.