Avokati i Popullit

Avokati i Popullit kërkon përmirësim të kushteve të akomodimit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren

Avokati i Popullit ka publikuar raportin me rekomandime për Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Sipas këtij institucioni, qëllimi i vizitës ishte vlerësimi për respektimin e të drejtave të njeriut për të burgosurit e akomoduar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren (QPP), të cilat u garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve.

Sipas raportit, hapësirat për akomodim në këtë qendër të paraburgimit nuk i plotësojnë kushtet sipas standardëve, ndërsa për këtë kanë pranuar edhe ankesat nga të burgosurit.

“Sa u përket kushteve të akomodimit, MKPT-ja ka vërejtur se, në disa raste, hapësirat e banimit për të burgosurit nuk janë në pajtim me dispozitat e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale (LESP) dhe as me standardet e përcaktuara nga Komiteti Evropian për Parandalim të Torturës. MKPT-ja ka pranuar ankesa nga të burgosurit për mungesë të mjeteve higjienike. Po ashtu, MKPT-ja ka vërejtur se dushet, në pjesën ku akomodohen të paraburgosurit, nuk ishin në gjendje të mirë higjienike dhe as teknike”, thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit.

Gjatë vizitës në QPP realizuar nga MKPT-ja, personeli i shërbimit korrektues dhe personeli i Departamentit Shëndetësor të Burgjeve i kanë ofruar ekipit monitorues bashkëpunim të plotë.

Të intervistuarit në këtë qendër paraburgimi nuk janë ankuar për keqtrajtime fizike, thekson komunikata nga Avokati i Popullit.

Në fund, institucioni i Avokatit ka dal edhe me disa rekomandime.

“Avokati i Popullit i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë që të burgosurit të furnizohen me mjete higjienike; të evitohen mangësitë teknike të funksionimit të dusheve; të shtohen aktivitetet jashtë qelisë për të paraburgosurit; QPP-ja të furnizohet me dyshekë të rinj dhe cilësorë; të ndërpritet praktika e dërgimit të mostrave të gjakut në laborator jashtë QPP-së; si dhe të krijohen kushte adekuate pune për personelin mjekësor dhe për atë korrektues”, thuhet në fund të komunikatës për media.