Hilmi Jashari, Avokat i Popullit. Foto: Kallxo.com

Avokati i Popullit kërkon përfaqësim të barabartë gjinor në zgjedhjet e 6 tetorit

Institucioni i Avokatit të Popullit përmes një komunikate për media ka kërkuar përfaqësim të barabartë gjinor në listat për deputet nga partitë politike.

“Të zgjedhësh dhe të jesh i zgjedhur është e drejtë e garantuar për secilin shtetas të Republikës së Kosovës mbi moshën 18 vjeç. Në këtë kuptim, duke pasur parasysh zgjedhjet paraprake,

Avokati i Popullit rikthen vëmendjen e publikut të gjerë dhe të autoriteteve kompetente për mundësitë e barabarta për pjesëmarrje të të dyja gjinive, në të gjitha segmentet e procesit

zgjedhor, duke e konsideruar, ashtu sikurse edhe Kushtetuta e vendit, barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillim demokratik të shoqërisë”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

“Avokati i Popullit ua rikujton subjekteve politike se Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, respektivisht neni 14 i tij, shprehimisht thotë: “Partitë politike me aktet e tyre obligohen të

zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji.”. Neni 6, paragrafi

7, i këtij ligji, ndër të tjera, specifikon: “Organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë

masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas këtij ligji.””, thuhet tuje në njoftim.

Sipas Avokatit të Popullit, garantimi i mundësive të barabarta dhe pa diskriminim mbi baza gjinore jo vetëm është i domosdoshëm për një shoqëri demokratike, por është përcaktim kushtetues dhe ligjor që duhet të zbatohet nga të gjithë, përfshirë këtu partitë politike.

“Avokati i Popullit e konsideron veprim të detyrueshëm dhënien e mundësive të barabarta, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, në listat e kandidatëve dhe në procesin zgjedhor si tërësi dhe bën thirrje publike që kjo të sigurohet. Së këndejmi, Avokati i Popullit pret nga subjektet politike që marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, ashtu siç pret edhe nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), që ta respektojnë parimin e barazisë në tërë procesin zgjedhor, me theks të veçantë përfaqësimin e barabartë në listat zgjedhore, në pajtim me dispozitat e Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore dhe pajtueshmërinë me frymën të cilën e përcjell Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës.