Avokati i Popullit shpjegon ankesën që çoi në pezullimin nga Kushtetuesja të Ligjit për zyrtarët publikë

Avokati i Popullit ka shpjeguar arsyet e ankesës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për Ligjin për zyrtarët publikë.

Dje gjatë ditës Gjykata Kushtetuese mori vendim për pezullimin e Ligjit për zyrtarë publikë, i cili kishte hyrë në fuqi më 12 shtator të këtij viti.

“Ligji nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë i jep Qeverisë së Republikës së Kosovës kompetenca për krijimin e bazës ligjore për punësim të zyrtarëve publikë në institucionet e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe zyrtarët publikë në institucionet e pavarura, si dhe në subjektet e tjera në sektorin publik, pa marrë parasysh specifikat e statusit kushtetues të këtyre subjekteve”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Ligji i ri për zyrtarët publikë, sipas Avokatit të Popullit, nuk kishte marrë parasysh faktin se subjektet në sektorin publik janë të rregulluara në mënyrë të veçantë me Kushtetutën e Kosovës.

“Avokati i Popullit në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese ka vlerësuar se Ligji nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë nuk e ka marrë parasysh faktin se subjekte të ndryshme në sektorin publik, çështjet organizative, funksionale dhe të veprimtarisë së tyre i kanë të rregulluara në mënyrë të veçantë, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e tyre organike”, thuhet tutje në njoftim.

Avokati i Popullit tha se ankesa për Ligjin për zyrtarë Publikë nuk ndërlidhet me pagat në sektorin publik.

“Për shkak të interesimit të madh të publikut, Avokati i Popullit njofton se Ligji nr. 06/L-114 Zyrtarët Publikë nuk ka të bëjë me çështjen e pagave në sektorin publik dhe se çështja e pagave rregullohet me Ligjin nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, i cili do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor 2019”, nënvizon njoftimi i IAP-it.

“Sa i përket Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, Avokati i Popullit ka pranuar një numër të konsiderueshëm të ankesave, të cilat është duke i shqyrtuar. Avokati i Popullit do ta njoftojë publikun me kohë për çfarëdo veprimi që do ta ndërmarrë lidhur me Ligjin nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik”, thuhet në fund të njoftimit.

Dje, më 19 nëntor 2019, Gjykata Kushtetuese e ka shqyrtuar dhe ka vendosur për kërkesën për masë të përkohshme ndaj Ligjit për zyrtarët publikë, ku vendosi për masë të përkohshme në kohëzgjatje deri më 28 shkurt 2020.

Gjithashtu, Kushtetuesja  ka pezulluar menjëherë Ligjin për zyrtarë publikë.

Ligji për zyrtarët publikë ka hyrë në fuqi më 12 shtator të këtij viti.

Ky Ligj i ka paraparë disa risi sa i përket procesit të rekrutimit të zyrtarëve publikë si në aspektin e shpalljes së konkurseve ashtu edhe në aspektin e vlerësimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve. Ky Ligj pritet të zëvendësojë Ligjin për shërbyesit civilë.

Disa prej ndryshimeve kryesore që janë paraparë në këtë Ligj që është pezulluar ka qenë centralizimi i konkurseve për shërbyesit civilë.

Ky Ligj parasheh se pranimi në detyrë i nëpunësve civilë, nëpunësve të shërbimit publik dhe nëpunësit administrativ-teknik dhe mbështetës, bazohet në parimet e mundësive të barabarta, meritës dhe integritetit, mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të drejtë dhe proporcional gjinor dhe të komuniteteve.

Gjykata Kushtetuese pezullon Ligjin për zyrtarët publikë

www.kallxo.com