Zëdhënësi i Prokurorisë: I dyshuari për sulm seksual ndaj Mrika Nikqit ka thënë se ka qenë nën ndikimin e alkoolit

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë se gjatë intervistimit në Polici i dyshuari për sulmin seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqi ka pretenduar se ka qenë nën ndikimin e alkoolit.

“Pasi që është intervistuar në Polici nga prokurori i shtetit, i njëjti ka thënë se ka qenë nën ndikimin e alkoolit” – ka thënë Nikçi në emisionin “Kallxo Përnime”.

Tutje zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës ka theksuar se këtë deklaratë i dyshuari e ka thënë si rrethanë arsyetuese.

“Kjo besoj që është një rrethanë arsyetuese e tij që besoj që nuk ka ndonjë arsyetim për të kryer një vepër penale. Pamjet që ka publikuar në këtë rast viktima nuk dojnë koment shumë sepse janë të papranueshme dhe mënyra qysh është kryer kjo vepër penale besoj që duhet të trajtohet më seriozitet të lartë nga Prokuroria në Pejë dhe institucionet përkatëse” – ka thënë tutje Nikçi.

Shkodran Nikçi ka thënë se të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, e cila mund të vazhdohet edhe dy muaj të tjerë.

“Është 30 ditë e caktuar nga Gjykata Themelore në Pejë dhe besoj që kjo kërkesë pasi që të skadojë brenda afatit ligjor prokurori do të kërkojë edhe vazhdimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muajve të tjerë deri sa të përfundojmë proceset hetimore dhe kjo çështje të ndriçohet” – ka thënë ai.

Alpinistja Mrika Nikqi ka publikuar të premten videon ku shihet duke u sulmuar në një rrugicë në qytetin e Pejës. Ajo ka treguar se sulmi ka ndodhur në mbrëmjen e 27 shtatorit.

Më 30 shtator, Prokuroria e Pejës ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari për sulm seksual ndaj saj.

“Hajt se e sheh ti, hala s’kam kry punë më ty” – janë fjalët që dyshohet se F.B. ia ka thënë viktimës Mrika Nikqi ditën kur ka ndodhur sulmi ndaj saj.

E Gjykata duke u bazuar edhe në këtë deklaratë të pretenduar të të dyshuarit ka konsideruar se duhet caktuar paraburgimi.

“duke shtuar faktin se i pandehuri menjëherë pas kryerjes se veprës penale Iu ka drejtuar të dëmtuares me fjalët ‘ hajt se e sheh ti, hala s’kam kryer punë unë me ty’, prandaj me lënien në liri të pandehurit ekziston rreziku se i njëjti do të vazhdojë të kryejë veprën penale ndaj të dëmtuarës së njëjtë” – thuhet në dosjen e Gjykatës.

Gjykata i ka caktuar paraburgimin të pandehurit në kohëzgjatje prej 30 ditëve.

Mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Adem Gorani, ka deklaruar se i dyshuari e ka pranuar veprën në tërësi.

Ndërsa vetë i dyshuari ka deklaruar se është i penduar për rastin që ka ndodhur duke shtuar se as ai nuk e di si ka ndodhur rasti.

Në dy muajt e fundit raste të shumta të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale janë raportuar në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë.

Sot gjatë ditës KALLXO.com raportoi për një rast ku një person që dyshohet se kishte ngacmuar seksualisht të miturën ishte liruar pas 48 orësh.

Policia e Kosovës më 16 gusht kishte raportuar se ka arrestuar një person nën dyshimin se e kishte ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur dhe se me urdhër të prokurorit i dyshuari ishte dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

Mirëpo, i dyshuari, me urdhër të prokurorit kujdestar, ishte liruar pas 48 orëve të mbajtjes.

Lirimin e të dyshuarit e ka konfirmuar për KALLXO.com Prokuroria e Prishtinës.

KALLXO.com merr vesh se vajza ishte ngacmuar deri sa po udhëtonte me një taksi ilegal.

Ajo kishte arritur ta incizonte taksistin duke e ngacmuar dhe duke i ofruar favore seksuale.

Sipas asaj që ka kuptuar KALLXO.com taksisti nuk ishte ndalur së ngacmuari edhe pasi që vajza i kishte treguar se mosha e saj është 17-vjeçare.

Javë më parë një rast që tronditi opinionin publik u raportua pasi viktimë e një dhunimi ishte një 11-vjeçare. Në dy raste të ndara janë arrestuar më shumë se 10 persona të cilët dyshohen për dhunim, shërbime seksuale dhe trafikim me qenie njerëzore.

Rasti u bë publik fillimisht më 27 gusht, kur viktima dyshohet se është dhunuar nga 5 persona në disa lokacione të ndryshme në një interval kohor prej shtatë orësh.

KALLXO.com raportoi në vazhdimësi në lidhje me ngacmimet dhe sulmet seksuale që kanë ndodhur javët e fundit.