A ka pasur të kaluar kriminale i dyshuari për sulm seksual ndaj Mrika Nikqit?

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë se në bazë të regjistrave të Prokurorisë, i dyshuari nuk ka pasur të kaluar kriminale.

“Në bazë të regjistrave të Prokurorisë Themelore në Pejë i njëjti rezulton që nuk ka pasur të kaluar kriminale” – ka thënë ai.

Nikçi ka thënë se gjatë muajit shtator janë raportuar dy raste të dyshuara të sulmit seksual, një rast i tentim-dhunimit dhe rasti i sulmit seksual ndaj Mrika Nikqit.

Të premten Mrika Nikqi ka publikuar videon ku shihet ajo duke u sulmuar në një rrugicë në qytetin e Pejës më 27 shtator. I dyshuari u arrestua nga Policia 3 ditë më vonë.

I arrestuari po dyshohet për sulm seksual.

Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit për të dyshuarin.

Në dy muajt e fundit raste të shumta të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale janë raportuar në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë.

Sot gjatë ditës KALLXO.com raportoi për një rast ku një person që dyshohet se kishte ngacmuar seksualisht të miturën ishte liruar pas 48 orësh.

Policia e Kosovës më 16 gusht kishte raportuar se ka arrestuar një person nën dyshimin se e kishte ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur dhe se me urdhër të prokurorit i dyshuari ishte dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

Mirëpo, i dyshuari, me urdhër të prokurorit kujdestar, ishte liruar pas 48 orëve të mbajtjes.

KALLXO.com merr vesh se vajza ishte ngacmuar deri sa po udhëtonte me një taksi ilegal.

Ajo kishte arritur ta incizonte taksistin duke e ngacmuar dhe duke i ofruar favore seksuale.

KALLXO.com raportoi në vazhdimësi në lidhje me ngacmimet dhe sulmet seksuale që kanë ndodhur javët e fundit.