Nuk kalon rezoluta e LDK-së kundër sulmeve ndaj integritetit seksual 

Rezoluta e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ndaj integritetit seksual nuk është miratuar sot në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Për këtë rezolutë, në sallë kanë qenë prezentë 75 deputetë, prej të cilëve në votim kanë marrë pjesë 61 sosh.

“26 vota për, 1 kundër dhe 34 kanë abstenuar, nuk kalon”-ka konstatuar kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Rezoluta e LDK-së nuk ka marrë mbështetjen e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Në emër të grupit parlamentar, deputetja e LVV-sëm Tinka Kurti tha se kjo rezolutë po diskutohet pas prezantimit të ndryshimeve që parashihet të bëhen në Kodin Penal të Kosovës.

“Jemi duke diskutuar një dokument që është prezantuar menjëherë pasi janë propozuar ndryshimet që ashpërsojnë kodin penal ndaj sulmeve dhe dhunimeve të grave. Që po priten mirë nga ana e grave dhe burrave. Kjo rezolutë flet më shumë për kushte të gjyqësorit se të viktimave. Për ketë temë kontributin tonë do ta japim tek ndryshimet në kodin penal dhe atë të procedurës penale”-ka thënë ajo.

Lidhur me ketë deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se është skandaloze të politizohet çështja e rezolutës kundër sulmeve seksuale.

“E keni të drejtën legjitime të mos e votoni, por mos më folni për mbështetje institucionale, mos më folni për penalizmin të dhunuesve të Kosovës kur jeni në gjendje të politizoni rezolutën që merret me këto fenomene pa dashur të bëjë klikime”-ka thënë Kica Xhelili

Partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë votuar pro kësaj rezolute.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se një tjetër çështje që duhet punuar është siguria e grave në qytet.

“Një çështje për të cilën duhet punuar është siguria e grave dhe vajzave në qytet dhe jo vetëm përtej familjes dhe dhunës në ambiente të brendshme. Sot e mbështesim një rezolutë si kjo që thërret për gjithë përfshirje në trajtimin e çështjes. Ideja është të investojmë në një mjedis më miqësor që merret me parandalimin e dhunës dhe jo vetëm me pasojën”-ka thënë ajo.

Ndërsa, deputetja e AAK-së, Albana Bytyçi ftoi deputetët ta votojnë këtë rezolutë.

“Unë si deputete do ta votojë këtë rezolutë dhe ju ftojë secilin që ta votoni t’ja bëjmë më dije qeverisë aktuale që ka aq shumë probleme në këtë vend”-tha Bytyçi.

LDK prezanton rezolutën kundër sulmeve seksuale