Ekipi i OKB-së: Përdhunimi, përdhunimi në grup ka të ngjarë të ketë ndodhur gjatë sulmit të Hamasit në Izrael

Një ekip ekspertësh të Kombeve të Bashkuara ka raportuar të hënën (04.03.2024) se ka “baza të arsyeshme për të besuar” se dhuna seksuale, përfshirë përdhunimin dhe përdhunimin në grup, ndodhi në disa vende gjatë sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit nga militantët e Hamasit.

I udhëhequr nga e dërguara speciale e OKB-së për dhunën seksuale në konflikt, Pramila Patten, ekipi vizitoi Izraelin midis 29 janarit dhe 14 shkurtit 2024 për të mbledhur, analizuar dhe verifikuar informacione mbi dhunën seksuale të lidhur me sulmet e 7 tetorit 2023. Raporti i OKB-së prej 24 faqesh thotë se: “U mblodhën gjithashtu informacione të besueshme rrethanore, të cilat mund të jenë tregues të disa formave të dhunës seksuale, duke përfshirë gjymtimin gjenital, torturën e seksualizuar ose trajtimin mizor, çnjerëzor dhe poshtërues”.

Grupi militant palestinez Hamas i ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat për dhunë seksuale.

Luftëtarët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, duke rezultuar në rreth 1200 viktima dhe kapjen e 253 pengjeve, sipas raporteve izraelite.  Hakmarrja e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës që atëherë ka çuar në vdekjen e rreth 30,000 palestinezëve, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavën e drejtuar nga Hamasi.

Ekipi e ka vënë theksin tek domosdoshmëria e një “hetimi të plotë” për të përcaktuar madhësinë e përgjithshme, shtrirjen dhe atribuimin specifik për dhunën seksuale.

Përveç kësaj, ekipi i OKB-së mori informacion nga burime institucionale dhe të shoqërisë civile, si dhe përmes intervistave të drejtpërdrejta, në lidhje me “dhunën seksuale ndaj burrave dhe grave palestineze në ambientet e paraburgimit, gjatë bastisjeve të shtëpive dhe në pikat e kontrollit” pas 7 tetorit. Qendrat e paraburgimit ndodheshin në Izrael.

Ekipi i OKB-së ngriti akuzat me Ministrinë izraelite të Drejtësisë dhe Avokatin e Përgjithshëm Ushtarak, i cili raportoi se nuk kishte marrë ankesa për dhunë seksuale kundër anëtarëve të Forcave të Mbrojtjes izraelite.

Izraeli ka kritikuar reagimin e OKB-së ndaj sulmeve të 7 tetorit 2023.  Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres deklaroi në fund të vitit të kaluar se dhuna seksuale e kryer më 7 tetor “duhet të hetohet dhe të ndiqet./Reuters 

Përgatiti: Nuhi Shala