Foto-ilustrim

Incidenti i Pejës, mesazhi që e mban në burg të dyshuarin për sulm seksual

“Hajt se e sheh ti, hala s’kam kry punë më ty” – janë fjalët që dyshohet se Flori Beqiraj ia ka thënë viktimës Mrika Nikqi ditën kur ka ndodhur sulmi ndaj saj.

E gjykata duke u bazuar në këtë deklarim për të cilin dyshohet Beqiraj, ka konsideruar se duhet caktuar paraburgimi ndaj tij.

“..duke shtuar faktin se i pandehuri menjëherë pas kryerjes se veprës penale ju ka drejtuar të dëmtuarës me fjalët ‘ hajt se e sheh ti, hala s’kam kryer punë unë me ty’, prandaj me lënien në liri të pandehurit ekziston rreziku se i njëjti do të vazhdojë të kryejë veprën penale ndaj të dëmtuarës së njëjtë” – thuhet në dosjen e gjykatës.

Mbrojtësi i Beqirajt, avokati Adem Gorani ka deklaruar se i dyshuari e ka pranuar veprën në tërësi, por këto fjalë kërcënuese nuk i kujtohen.

“Gjendja e tij ka qenë në ndikim të alkoolit, sipas tij, tregon që sjelljet që i ka pas gjatë kryerjes nuk janë të tij, ka qenë në gjendje që edhe vetë i pandehuri nuk mund t’i shpjegoj” – është deklarimi i avokatit në seancën dëgjimore për caktim të paraburgimit.

Ndërsa vetë i dyshuari Beqiraj ka deklaruar se është i penduar për rastin që ka ndodhur duke shtuar se as ai nuk e di si ka ndodhur rasti.

Gjykata i ka caktuar paraburgimin të pandehurit Beqiraj në kohëzgjatje prej 30 ditëve.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Alpinistja Mrika Nikqi ka publikuar të premten videon ku shihet duke u sulmuar në një rrugicë në qytetin e Pejës. Ajo ka treguar se sulmi ka ndodhur në mbrëmjen e 27-shtatorit.

Mrika Nikqi, është një alpiniste e re, e cila bashkë me të atin në 2019 realizoi me sukses misionin e ngjitjes në shtatë majat më të larta në shtatë kontinentet e botës. Ajo është vajza më e re në botë që ka ngjitur shtatë maja ende pa i mbushur 18 vjet.

Dyshime për sulm seksual, publikohet videoja e sulmit ndaj alpinistes Mrika Nikqi në Pejë (VIDEO)