LDK prezanton rezolutën kundër sulmeve seksuale

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka prezantuar sot gjatë seancës së Kuvendit rezolutën kundër sulmeve ndaj integritetin seksual.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se deputetët sot e kanë mundësinë të dëshmojnë sa seriozisht e marrin ata këtë çështje.

“Ne e kuptojmë shumë mirë se këto vepra nuk e cenojnë vec integritetin seksual, na cenojnë psiqikisht, shpirtërisht e na tronditin deri në palcë në një masë që nuk e kemi parashikuar”-ka thënë Kica-Xhelili.

Në tekstin e plotë të rezolutës thuhet se kjo është iniciuar duke pasur parasysh rritjen e ndjeshme të rasteve të veprave penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual në Kosovë, tejzgjatjen e trajtimit të lëndëve në proceset gjyqësore në procedurë penale, për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme profesionale dhe njerëzore, mospërputhjen e madhe të sanksioneve penale në lidhje me veprat penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual brenda sistemit gjyqësor etj.

Pikat e plota të rezolutës së LDK-së:

1.Kuvendi i Republikës së Kosovës e shpall vitin 2023 “vit kundër sulmeve ndaj integritetit seksual”, me ç’rast të gjitha institucionet shtetërore kanë obligim të prioritizojnë rolin proaktiv kundër veprave penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual, si dhe të shtojnë e të fuqizojnë masat e parandalimit lidhur me to;

2.Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës që t’i trajtojë me prioritet kërkesat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për resure njerëzore profesionale, në veçanti për bashkëpunëtorë profesionalë;

3.Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës që t’i trajtojë me prioritet kërkesat e Këshillit Prokurorial të Kosovës për resurse njerëzore profesionale, në veçanti psikologë;

4.Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson se është e nevojshme të profilizohen gjyqtarë dhe prokurorë shtesë, të cilët ekskluzivisht do t’i trajtojnë lëndët e veprave penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual;

5.Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të financojë hartimin e një Komentari të Kodit Penal në lidhje me kapitullin e veprave penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual, i cili do të përfshijë praktikën gjyqësore vendore dhe të huaj;

6.Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson së Akademia e Drejtësisë duhet të prioritizojë trajnimet e avansuara profesionale në lidhje me trajtimin e veprave penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual, si dhe zbatimin e “Udhëzuesit për matjen e dënimeve” për këto vepra;

7.Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës që të krijojë një linjë të ndarë për raportimin e veprave penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual, ngjashëm me linjën 0800 11112 që shërben për raportimin e dhunës në familje;

8.Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës që të organizojë trajnime të avancuara për Policinë e Kosovës në pranimin e raportimeve dhe identifikimin e veprave penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual, përfshirë trajnimin mbi gjuhën e veçantë të komunikimit me viktimën;

9.Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të financojë infrastrukturën e domosdoshme për dhomat e intervistimit të viktimës, përfshirë audio dhe video-incizimet;

10.Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeverisë së Republikës së Kosovës që në buxhetin e vitit 2023 të përcaktojë një linjë të veçantë buxhetore për komunat e Republikës së Kosovës, për të mbështetur Qendrat për Punë Sociale. Ky buxhet duhet të përcaktohet për komunat konform numrit të viktimave të veprave penale kundër integritetit seksual dhe veprës penale të ngacmimit seksual, me qëllim të strehimit, trajtimit dhe rehabilitimit të tyre në strehimoret e dedikuara për këtë qëllim.

11.Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon që Qeveria e Kosovës të organizojë fushata vetëdijesuese, në veçanti në institucionet arsimore dhe institucionet shëndetësore, në lidhje me veprat penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual, si dhe në lidhje me obligimin për raportimin e dyshimit lidhur me këto raste.