PDK: Do të propozojmë Projektligjin për regjistrimin e personave të dënuar për krime seksuale

Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar hartimin dhe miratimin e një projektligji i cili do të mundësonte evidentimin dhe regjistrimin e të dhënave të autorëve të krimeve seksuale.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha sot gjatë seancës së Kuvendit tha se Projektligjin për regjistrim shtetëror të personave të dënuar të krimeve seksuale do ta prezantojnë ditëve në vijim.

Sipas Hoxhës, përmes tij do të mundësohet që të dhënat e të dënuarve për këto vepra do të regjistrohen në një regjistër shtetëror.

“Përmes tij do të mundësohet që të dhënat e të dënuarve për këto vepra të regjistrohen në një regjistër shtetëror në mënyrë që të ju mundësoj organeve ligj zbatuese që të identifikojnë, monitorojnë këta persona që të posedojnë informatë mbi të dhënat e tyre personale, vendbanimin, rrethin shoqëror dhe veprimtarinë e tyre” – tha deputetja Hoxha.

Ajo tha se PDK tashmë ka filluar punën në hartimin e këtij projektligji.

Sipas Hoxhës, fenomeni i krimeve seksuale është bërë shqetësues dhe është alarm shumë serioz.

“Vendi ynë çdo ditë e më shumë po shënon raste të reja të krimeve seksuale, fenomeni në rritje i krimeve të tilla jo vetëm që është bërë shqetësues po edhe është alarm shumë serioz përball të cilit nuk mund të qëndrojmë indiferent. Vetëm si raste janë shumë tronditëse, ndërsa të tmerrshme dhe me pasoja të pa matshme për secilën viktimë të këtyre krimeve” – tha ajo.

Qeveria e Kosovës e ka miratuar të hënën Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Kosovës, në të cilin, testimin e virgjërisë e ka klasifikuar si vepër penale.

Përmes këtij ndryshim-plotësimi, parashihet ashpërsimi i dënimeve kundër personave që shpallen fajtorë për veprat penale “Dhunim”, “Sulm seksual” dhe “Dhunë në familje”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha që pas rritjes së rasteve, me procedurë të përshpejtuar kanë marrë hapat e nevojshëm për rishikimin e masave ndëshkuese për kryesit e veprave penale, “pasi që po konsiderohet se aq sa janë të ndëshkueshme nuk janë të mjaftueshme”.

“Përmes këtij projektligji, kemi paraparë që për veprat penale të dhunimit dhe të sulmit seksual dhe të dhunës në familje, të shtohen si dënime plotësuese si në vijim: ndalimin e të drejtës së kandidatit në pozitë publike nga 3-10 vite personit fajtor, ndalimin e punësimit në sektorin publik në të gjitha nivelet personit që shpallet fajtor për dhunim, ndalimin e të drejtës në përfitimin e patentfshoferit në çdo lloje të kategorisë nga 1-5 vjet personit që shpallet fajtor, ndalimi i aplikimit si investitor strategjik nga 3-10 vite” – kishte thënë ministrja Haxhiu.

Haxhiu kishte bërë të ditur se lista e dhunuesve do të jetë publike.

Qeveria miraton projektligjin për ndryshimin e Kodit Penal, lista e të dënuarve për dhunim do të jetë publike