Arbër Beka flet për hetimin e Inspektoratit Policor lidhur me rastin e 11-vjeçares që dyshohet se u dhunua seksualisht
Arbër Beka, zëdhënës i Inspektoratit Policor të Kosovës, ka thënë se lidhur me rastin e 11-vjeçares nga Prishtina, e cila dyshohet se u dhunua seksualisht, IPK ka filluar një hetim paraprak për të shikuar veprimet apo mosveprimet eventuale të zyrtarëve policorë që kanë qenë të përfshirë direkt apo indirekt në rast.
Beka ka thënë se janë intervistuar zyrtarë policorë dhe zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale.
“Mbi bazën të autorizimit të prokurorit janë ndërmarrë veprime hetimore që kanë përfshirë intervistimet e disa prej zyrtarëve policorë jo vetëm atyre që kanë qenë direkt të kyçur në rast por edhe në zinxhirin komandues që nënkupton eprorëve të zyrtarëve dhe një zyrtar të Qendrës për Punë Sociale” – ka thënë ai.
Tutje Beka ka thënë se nga IPK janë marrë kopjet e rasteve për rastin e 11-vjeçares dhe janë analizuar në detaje se çfarë veprime janë ndërmarrë.
Ai ka shtuar se lidhur me këto veprime të Inspektoratit Policor është përgatitur një raport.
“Për këto është përgatitur një raport që është përcjellë në Zyrën e Prokurorit të Shtetit dhe jemi në fazën e pritjes se çfarë veprimesh konkrete duhet të merren tjera shtesë nga zyrtarët e IPK-së” – ka thënë tutje Beka.
Në dy muajt e fundit raste të shumta të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale janë raportuar në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë.
Javë më parë një rast që tronditi opinionin publik u raportua pasi viktimë e një dhunimi ishte një 11-vjeçare. Në dy raste të ndara janë arrestuar më shumë se 10 persona të cilët dyshohen për dhunim, shërbime seksuale dhe trafikim me qenie njerëzore.
Rasti u bë publik fillimisht më 27 gusht, kur viktima dyshohet se është dhunuar nga 5 persona në disa lokacione të ndryshme në një interval kohor prej shtatë orësh.
Tutje doli se e njëjta e mitur kishte qenë viktimë e dhunimit edhe në një rast më herët.