Zëdhënësi i Departamentit të SHBA: Kina e ka marrë 'shumë hapur' anën e Rusisë

Situata ushtarake po bëhet gjithnjë e më e vështirë rreth qytetit lindor të Ukrainës, Bakhmut, ka thënë të hënën presidenti Volodymyr Zelenskiy. Ministria ruse e mbrojtjes pretendon se forcat e saj kanë shkatërruar një depo municioni ukrainas pranë qytetit – pika qendrore e përparimeve të Rusisë në Ukrainën lindore – duke rrëzuar gjithashtu katër raketa Himars dhe pesë drone të lëshuar nga forcat ukrainase.

Partizanët anti-luftë bjellorusë pretendojnë se kanë dëmtuar rëndë një avion ushtarak rus në atë që një lider i opozitës e ka quajtur “diversioni më i suksesshëm” që nga fillimi i luftës. BYPOL, organizata partizane bjelloruse, tha se ka përdorur dronë për ta sulmuar aeroportin Machulishchy 12 km larg Minskut, duke e dëmtuar rëndë një avion të paralajmërimit dhe kontrollit të hershëm Beriev A-50 (Awacs).

Kina e ka marrë “shumë qartë” anën e Rusisë dhe ka qenë “gjithçka përveçse një ndërmjetës i ndershëm” në përpjekjet për të sjellë paqen në Ukrainë, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price në një konferencë shtypi të hënën. Kina i ka ofruar Rusisë “mbështetje diplomatike, mbështetje politike, mbështetje ekonomike, mbështetje retorike”, shtoi Price.

Rusia i ka dhënë një përgjigje të vakët një plani kinez të paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por tha se po i kushton “një vëmendje të madhe” detajeve. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se çdo iniciativë që mund të afronte paqen është e denjë për vëmendje dhe zëri i Pekinit duhet të dëgjohet, por nuancat e propozimit janë të rëndësishme dhe, për momentin, ai nuk ka parë ndonjë shenjë që sugjeron se mund të arrihet një zgjidhje paqësore. “Çdo përpjekje për të formuluar teza për arritjen e një zgjidhjeje paqësore të problemit është e mirëpritur, por, natyrisht, nuancat janë të rëndësishme”, ka deklaruar Peskov për të përditshmen Izvestia.

Rusia nuk do ta rifillojë pjesëmarrjen në traktatin START për reduktimin e armëve bërthamore me SHBA-në derisa Uashingtoni të dëgjojë qëndrimin e Moskës, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në komentet e botuara të martën. Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi javën e kaluar vendimin e Rusisë për ta pezulluar pjesëmarrjen në traktatin e fundit START, pasi akuzoi Perëndimin se është i përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet për t’i goditur bazat e saj ajrore strategjike. Peskov i tha të përditshmes Izvestia në një intervistë se “qëndrimi i perëndimit kolektiv”, i udhëhequr nga SHBA duhet të ndryshojë ndaj Moskës. “Siguria e një vendi nuk mund të sigurohet në kurriz të sigurisë së një tjetri”, ka thënë Peskov.

Alexander Lukashenko, presidenti i Bjellorusisë, do ta vizitojë Pekinin të martën për një takim me presidentin e Kinës Xi Jinping, në një udhëtim të profilit të lartë që simbolizon hendekun në zgjerim midis SHBA dhe Kinës për luftën në Ukrainë. Takimi i Xi me Lukashenkon, një aleat i ngushtë i Putinit, shihet ndërkombëtarisht si një shenjë se ku qëndrojnë simpatitë e Pekinit.

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, u takua me Zelenskiyn dhe zyrtarë të tjerë kryesorë të qeverisë ukrainase në një vizitë të papritur në Ukrainë për ta riafirmuar mbështetjen e Uashingtonit për Kievin të hënën. Pas bisedimeve me kryeministrin Denys Shmyhal, Yellen tha se SHBA ka ofruar afro 50 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë, ekonomike dhe humanitare dhe njoftoi një paketë tjetër shumë miliarda dollarëshe për ta nxitur ekonominë e vendit.

Polonia e ka njoftuar një nismë të përbashkët me Komisionin Evropian për t’i gjurmuar fëmijët ukrainas që janë rrëmbyer dhe dërguar në Rusi gjatë luftës së vazhdueshme në Ukrainë. Qëllimi i skemës është t’i gjurmojë fëmijët e zhdukur dhe të “sigurojë që përgjegjësit të sillen para drejtësisë”, ka thënë ministri i çështjeve të BE-së i Polonisë Szymon Szynkoëski vel Sęk. “Ne duhet t’i kthejmë fëmijët e rrëmbyer në Ukrainë dhe ta ndëshkojmë Rusinë për krimet e saj”, ka shtuar Shmyhal.

Laureatja ukrainase e Nobelit për Paqe, Oleksandra Matviichuk, ka bërë thirrje për krijimin e shpejtë të një tribunali special për ta gjykuar Vladimir Putinin dhe bashkëpunëtorët e tij për krimin e agresionit, Matviichuk, udhëheqësja e Qendrës për Liritë Civile, ka thënë për Guardian se një fillim i shpejtë i gjykimeve të krimeve të luftës kundër presidentit rus dhe ushtarëve mund të kenë “një efekt ftohës” mbi mizoritë e kryera nga forcat pushtuese të Kremlinit.

Shefi i OKB-së, António Guterres, ka paralajmëruar se respektimi i të drejtave të njeriut ka shkuar në drejtim të kundërt dhe bëri thirrje për një rinovim të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, 75 vjet pas nënshkrimit të saj. Duke vënë në dukje luftën në Ukrainë dhe kërcënimet ndaj të drejtave nga varfëria në rritje, uria dhe katastrofat klimatike, António Guterres tha se deklarata është “nën sulm nga të gjitha anët”. Tutje, Guterres shtoi se “pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar shkeljet më masive të të drejtave të njeriut” që janë dëshmuar sot në botë.

Kompania ajrore Wizz Air ka njoftuar se do t’i pezullojë fluturimet drejt kryeqytetit të Moldavisë, Kishinau, nga 14 marsi për shkak të shqetësimeve për sigurinë e hapësirës së saj ajrore. Në një deklaratë, kompania tha se e ka marrë vendimin “të vështirë, por të përgjegjshëm” për t’i pezulluar fluturimet për shkak të rrezikut “të lartë, por jo të afërt” në hapësirën ajrore të Moldavisë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala