Vushtrri, i gjenden mbi 450 euro të falsifikuara në çantë, arrestohet i dyshuari

Policia në Vushtrri ka arrestuar një 33-vjeçar të dyshuar për veprën penale – falsifikim i parasë.

Sipas njoftimit, gjatë kontrollit në çantën e krahut të të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar kartëmonedha dhe monedha metalike që dyshohet se janë të falsifikuara, në vlerë prej 466 euro.

Sipas Policisë, të dyshuarit i janë gjetur 11 kartëmonedha 20-euroshe, 108 monedha metalike 2-euroshe, 20 monedha metalike 1-euroshe, dhe 20 monedha metalike 50-centëshe.

Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Policia tutje ka njoftuar se hetimet e mëtejme po i zhvillon Njësiti për Krime Ekonomike.