Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL

Vuçiq, serbëve në veri të Kosovës: Faleminderit për mbështetje në këto ditë të vështira!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka postuar një video në profilin e tij në Instagram në të cilën ka folur për situatën në veri të Kosovës dhe ka dërguar një mesazh të fortë për të gjithë qytetarët e asaj ane që po mbajnë protestë tash e 8 ditë.

“Është e rëndësishme që të gjithë njerëzit të kuptojnë se sa e vështirë është situata, sa të lidhur janë duart tona në Kosovë. Faleminderit njerëzve në këto ditë të vështira për mbështetjen e tyre, faleminderit njerëzve tanë në Jarinjë dhe Bërnjak, Serbia është me ju”, tha Vuçiq, raporton b92.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 20 shtatori kur Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat e automjeteve që vijnë nga Serbia.

Kjo masë po kundërshtohet nga qytetarët serbë, të cilët kanë bllokuar rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Kosova ka vendosur njësitë speciale të Policisë në afërsi të këtyre dy pikave, ndërsa Serbia ka shtuar praninë ushtarake në zonën kufitare.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet dhe t’i kthehen dialogut.