Vendi ku ndodhi vrasja në Pejë, burri dyshohet se vrau gruan e tij, 16.04.2024 | Foto: KALLXO.com

Vrasja e Gjyljeta Ukellës, reagon Shoqata Sindikale e Infermierëve

Shoqata Sindikale e Infermierëve të Kosovës ka reaguar pas vrasjes së Gjyljeta Ukella në Pejë mëngjesin e së martës (16.04.2024).

Dorasi dyshohet se është bashkëshorti i viktimës, i cili është arrestuar nga Policia.

KALLXO.com mëson se çifti janë prindër të tre fëmijëve, ndërsa deri më tash ende nuk dihet cilat ishin motivet që shtynë të dyshuarin ta kryejë aktin e vrasjes brenda banesës së tyre.

Reagimi i Shoqatës vjen pasi Gjyljeta Ukella që mbeti e vrarë, ishte e angazhuar si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.

“Shoqata Sindikale e Infermierëve të Kosovës me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për vrasjen mizore të infermieres Gjyljeta Ukella. Reagojmë ashpër ndaj këtij krimi makabër brenda familjes. Krime të tilla duhet të dënohen dhe vrasësit të marrin dënimin e merituar” – thuhet në reagimin e Shoqatës Sindikale të Infermierëve.

Me këtë rast, ShSIK i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë, Petrit Loci e ka konfirmuar për KALLXO.com se viktima shërbeu në këtë pozitë që nga viti 2000.

“E ndjera Gjyljetë për më shumë se dy dekada, prej vitit 2,000, shërbeu si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë. Është shquar si punëtore. Stafi që ka punu me tashmë të ndjerën nuk ka vërejte diçka ndryshe ditëve të fundit, por janë edhe organet e rendit që po merren me rastin” – tha Loci.

Në lidhje me vrasjen e gruas, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova tha se rasti u raportua rreth orës 08:15.

“Sot rreth orës 08:15, Policia është informuar se në rrugën Bill Clinton në Pejë, ka ndodhur një rast, Policia menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes gjithashtu edhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, i dyshuari këtij rasti është arrestuar dhe ndodhet ne objektet e Stacionit Policor në Pejë”- tha Rugova për KALLXO.com.

Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi ka konfirmuar se trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Prokurori është në vend të ngjarjes, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në IML me urdhër të prokurorit, personi është arrestuar, iu ka sekuestruar arma”- tha Nikçi për KALLXO.com.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me këtë rast, duke thënë se vrasja e grave duhet të ndalet me çdo kusht.

Kurse, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se ka ftuar sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, u.d Kryeprokurorin dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës dhe po ashtu ka thirrur edhe mbledhjen e grupit ndërministror.

Këtë takim Haxhiu e ka thirrur, pasi ky është rasti i dytë që brenda pesë ditësh gratë vriten në Kosovë.

“Nuk ka rrugë tjetër pos si institucione të Republikës së Kosovës të luftojmë pa kompromis këto fenomene. Pavarësisht përkushtimit, masave të ndërmarra, fushatave të iniciuara me qëllim pikërisht barazinë gjinore, vrasjet ndaj grave po vazhdojnë” – ka shkruar Haxhiu në rrjetin social “Facebook” më 16.04.2024

Një 21-vjeçare, Erona Cokli, u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Valon Aliu, më 12.04.2024.

Valon Aliu, 36-vjeçar më 12.04.2024, dyshohet se për tu marrë vesh në lidhje me fëmijën 1-vjeçar, ishin bërë bashkë në Qendrën për Punë Sociale me tashmë viktimën Erona Cokli, e që në këtë takim ishte edhe vëllai i 21-vjeçares.

Sipas dëshmisë së tij në Gjykatën e Ferizajt, Aliu ka thënë se ka shtënë në drejtim të viktimës dhe vëllait të saj, 15-vjeçar.

15-vjeçari ka mbetur i plagosur në këtë rast.

Më 15.04.2024 u mbajtë protestë nga aktivistë dhe anëtarë të Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

thirrjen e tyre për protestë nga Kolektivi e kanë konsideruar vrasjen e 21-vjeçares si vrasje që ka ndodhur “në sytë e shtetit”, e që sipas tyre, vajzat dhe gratë në Kosovë nuk janë askund të sigurta.

Për shkak të kësaj gjendje, ata kanë konsideruar se të gjithë duhet të ngritën në këmbë kudo, për të kërkuar nga shteti që ta trajtojë femicidin si urgjencë kombëtare.

Vrasja e gruas në Pejë, bashkëshorti i saj dorëzohet në Polici